Murat Ünlü
05 Korrik 2017•Përditësim: 06 Korrik 2017
PARIS (AA) - Kryetari i Këshillit Islamik në Francë, Ahmet Ogras, thotë se organizata që drejton duhet të ndjekë modelin e Turqisë, apo Kryesinë për Çështje Fetare të Republikës së Turqisë (Dijanet), raporton Anadolu Agency (AA).
Ogras më 1 korrik mori detyrën e kryetarit të Këshillit dhe është turku i parë në krye të organizatës ombrellë muslimane në Francë, e cila u themelua në vitin 2003 me mbështetjen e ish-presidentit francez, ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme të Francës, Nicolas Sarkozy.
Në fillim të bisedës me AA, Ogras u pyet për të komentuar rreth deklaratave të Presidentit të Francës Emmanuel Macron, për atë se si duhen të edukohen imamët në Francë. Ai tha se Bashkësia Islame pranë Dijanetit (DITIB) është duke vepruar në këtë drejtim, duke shtuar se në Strasburg është hapur shkolla e mesme fetare "Yunus Emre".
"Këshilli Islamik i Francës duhet të ndjekë modelin e Turqisë, apo Drejtorisë për Çështje Fetare. Dijaneti është një organizatë e cila me vite vepron në një shtet sekularë. Në këtë kontekst, Franca ka një shembull dhe model, duhet vetëm ta vendosë në përdorim", ka thënë Ogras.
Duke komentuar rreth aktiviteteve që planifikojnë në dy vitet e ardhshme të mandatit të tij, Ogras theksoi se në fokus të këshillit do të jetë lufta kundër radikalizmit. Ai theksoi se në këtë drejtim Kryesia për Çështje Fetare e Turqisë mund të jap mbështetje për Këshillin, por me siguri edhe sociologët.
Duke folur në lidhje me atë se çfarë u mungon muslimanëve në Francë, Ogras tha se problem paraqet mungesa e hapësirave për lutje, apo xhamitë.
"Ajo çfarë tani kryesisht u nevojitet muslimanëve janë qendra arsimore në të cilat popullata muslimane do të kenë mundësinë për të marrë mësime cilësore të larta fetare", tha Ogras.
Në fund komentoi rreth terminit të "Islamofobisë", e cila sot po përdoret shumë në Francë, kur bëhet fjalë për sulmet ndaj muslimanëve. Ai tha se përdorimi i këtij termi është i gabueshëm duke pasur parasysh se këto janë sulme ndaj njerëzve, dhe se në të vërtetë duhet të përdoret termi "anti-muslimane".