Ekip
17 Korrik 2020•Përditësim: 18 Korrik 2020
Ambasadori i Kubës në Ankara, Luis Alberto Amoros Nunez, tha se vendi i tij ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar tregtinë e jashtme të vendit, duke shtuar se duan të shohin më shumë sipërmarrës nga Turqia dhe të forcojnë marrëdhëniet ekonomike.
Ambasadori Nunez u prit nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Anadolu Agency (AA), Metin Mutanoğlu.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet Kubë-Turqi dhe aktivitetet globale të raportimit të AA-së.
Nunez falënderoi AA-në për kontributet për njohjen e Kubës në Turqi dhe veçanërisht për ndarjen e sukseseve në arenën ndërkombëtare në çështjen e luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Ai tha se ndjek nga afër publikimet e AA-së në veçanti në gjuhët turke, angleze dhe spanjolle, duke shtuar se Turqia ka një imazh të fortë në vendin e tij.
"Duam zhvillimin e tregtisë me Turqinë"
Nunez tha se SHBA përmes embargove përpiqet t'i kufizojë palët e treta që kanë marrëdhënie me Kubën, por shtoi se përkundër kësaj, duan zhvillimin e raporteve tregtare me Turqinë.
"Kuba ka marrë hapa të reja për të lehtësuar aktivitetet ekonomike dhe tregtinë e jashtme. Ne duam të zhvillojmë tregtinë tonë me Turqinë. Jemi të gatshëm të sigurojmë lehtësira të nevojshme për afaristët turq. I presim për investime dhe aktivitete tregtare në të gjitha fushat. Në veçanti, ekzistojnë mundësi të rëndësishme bashkëpunimi në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit, në të cilat Turqia është e suksesshme", theksoi ambasadori kuban.

Ai deklaroi se Turqia është një vend me qëndrim edhe më parimor se Kuba në lidhje me Palestinën dhe shtoi se vizita e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Kubë në vitin 2015 la një përshtypje shumë pozitive.
Nunez tha se Kuba ka arritur suksese të mëdha me metodat e trajtimit në luftën kundër COVID-19 dhe se mjekët kubanë ofrojnë shërbime në shumë vende.
AA do të vazhdojë të raportojë fuqishëm për zhvillimet në këtë vend
Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AA-së, Mutanoğlu, informoi ambasadorin Nunez mbi raportimin global dhe publikimet në shumë gjuhë të agjencisë.
Mutanoğlu tha se në shumë aspekte, Kuba është një nga vendet më tërheqëse në botë dhe shtoi se në opinionin e Turqisë, lajmet rreth Kubës ndiqen me kureshtje.
Ai tha se AA do të vazhdojë të transmetojë fuqishëm në Turqi dhe opinionin botëror zhvillimet rreth Kubës, duke u frymëzuar edhe nga bashkëpunimi me agjencinë zyrtare kubane të lajmeve Prensa Latina News Agency, dhe se do të vazhdojë kontributi për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.