Bota

Kryeministrja britanike May do të takohet me princin saudit

"Mesazhi që do të jap do të jetë shumë i qartë. Ky është mesazhi që e kemi dhënë vazhdimisht në lidhje me Jamal Khashoggin dhe Jemenin", tha May

Tayfun Salcı  | 30.11.2018 - Përdıtësım : 01.12.2018
Kryeministrja britanike May do të takohet me princin saudit

Londër

LONDËR (AA) - Kryeministrja britanike Theresa May tha se do të takohet me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman gjatë samitit të G20-tës në Argjentinë, duke njoftuar se palës saudite do t'i jepen "mesazhe shumë të qarta" në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe Jemenin, raporton Anadolu Agency (AA).

"Mesazhi që do të jap do të jetë shumë i qartë. Ky është mesazhi që e kemi dhënë vazhdimisht në lidhje me Jamal Khashoggin dhe Jemenin", u tha May gazetarëve në avionin me të cilën udhëtoi për në Argjentinë për samitin e G20-tës.

"Është e qartë se presim një hetim transparent në lidhje me rastin Khashoggi dhe kërkimin e llogarisë nga përgjegjësit", shtoi ajo.

May po ashtu shprehu shqetësime në lidhje me situatën në Jemen, duke theksuar se presin një zgjidhje afatgjate lidhur me krizën në këtë vend.

Ministria e Jashtme britanike më herët ka thënë se janë duke i shqyrtuar me Bashkimin Evropian mundësitë për një regjim global sanksionesh në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë Jeremy Hunt javën e kaluar vizitoi Arabinë Saudite, ku u takua me princin Mohammed bin Salman dhe Mbretin Salman bin Abdulaziz.

Khashoggi, gazetar saudit që punonte për gazetën The Washington Post, u vra pak pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Qeveria saudite ka ofruar sqarime të ndryshme nga njëra-tjetra në lidhje me vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.