Tevfik Durul
06 Tetor 2020•Përditësim: 07 Tetor 2020
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, theksoi se çdo herë janë të hapur për dialog me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mitsotakis në Pallatin Maksimu në Athinë u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Në konferencën për media të dy palët vlerësuan marrëdhëniet greko-turke dhe zhvillimet rreth Mesdheut.
Kryeministri grek theksoi se Mesdheu Lindor është në interes të të gjithë anëtarëve të NATO-s, duke pretenduar se Turqia "po bën provokime" në këtë rajon.
Ai tha se vendi i tij dëshiron që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyra paqësore, duke theksuar se "Ne çdo herë jemi të gatshëm për dialog dhe në këtë kontekst mirëpresim hapin e parë të Turqisë në drejtim të eliminimit të tensionit".
Në lidhje me bisedimet eksploruese, Mitsotakis tha se po presin të përcaktohet data, ndërsa në këto bisedime pretendoi se në rend dite janë vetëm kufizimi i juridiksioneve detare në Egje dhe Mesdheun Lindor.
"Linja e kuqe mund t'i hapë hapësirë diplomacisë"
Nga ana tjetër, Stoltenberg, në lidhje me mbledhjet teknike të zhvilluara në mbikëqyrjen e NATO-s, tha se kanë kaluar produktive, ndërsa për "linjën e kuqe" të vendosur për komunikimin e pandërprerë të palëve do të kontribuojë për eliminimin e tensionit.
Ai falënderoi të dy aleatët për përpjekjet në fjalë. "Ky mekanizëm mund të hapë hapësirë për përpjekjet diplomatike", u shpreh ai.
Ndërkohë rreth 500 protestues të mbledhur me thirrjen e Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) kanë marshuar në sheshin Sintagma ku gjendet edhe ndërtesa e parlamentit si reagim ndaj vizitës së shefit të NATO-s.
Protesta përfundoi pa incident ndërsa në të u brohoritën slogane si "Amerika vrasëse", "NATO duargjak nuk mund të jetë ndërmjetës".