Ahmet Gürhan Kartal
24 Mars 2022•Përditësim: 24 Mars 2022
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, “tashmë e ka kaluar pragun e barbarizmit” në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për "LBC Radio" para nisjes së tij për në samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel, kryeministri Johnson tha se bisedimet vazhdojnë për “vijat e reja të kuqe për armët bërthamore kimike, biologjike, taktike apo çfarëdo tjetër arme”.
Komentet e tij vijnë para samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe atij G7, ku do të diskutohen masat e mëtejshme kundër Rusisë, derisa lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë.
Kryeministri britanik njoftoi se Mbretëria e Bashkuar ka dërguar në Ukrainë rreth 5 mijë “armë anti-tank”.
“Ne do të dërgojmë shumë më tepër armë gjatë ditëve të ardhshme, 6 mijë raketa të tjera dhe shumë të tjera veç kësaj”, tha Johnson.
Ai theksoi se akoma ka nevojë “për të bërë më shumë ekonomikisht”.
“A mund të bëjmë më shumë, për shembull, për ta ndaluar atë të përdorë rezervat e arit, përveç rezervave të parave. Sa më shumë presion të bëjmë tani, veçanërisht për gjërat si ari, besoj se aq më shumë mund ta shkurtojmë luftën”, u shpreh Johnson.
Sipas njoftimit nga qeveria britanike, ndihma e re për Kievin e shpallur mëngjesin e sotëm nga Mbretëria e Bashkuar përfshin “6 mijë raketa, të përbëra nga armë anti-tank dhe eksploziv të lartë si dhe 25 milionë paund (rreth 33 milionë dollarë) mbështetje financiare për ushtrinë ukrainase”.
Johnson tha se “komuniteti ndërkombëtar përballet me një zgjedhje” në krizën e Ukrainës.
“Ne mund ta mbajmë të gjallë flakën e lirisë në Ukrainë ose të rrezikojmë të shuhet në Evropë dhe botë”, u shpreh ai.