Seda Sevencan
03 Mars 2021•Përditësim: 03 Mars 2021
Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Mohammed bin Abdurrahman Al-Thani, ka udhëtuar në kryeqytetin e Egjiptit për të marrë pjesë në një takim të Ligës Arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Media egjiptiane raporton se ministri i Shtetit për Punët e Jashtme i Katarit, Sultan bin Saad Al-Muraikhi, mbërriti në Kajro para ministrit Al-Thani.
Asnjë deklaratë nuk është lëshuar nga Katari në lidhje me vizitën e ministrit Al-Thani, e cila është e para për të në Kajro që kur u vendos bllokimi ndaj Katarit nga katër vende në vitin 2017.
Gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Ligën Arabe, do të diskutohen zhvillimet e fundit në Palestinë dhe kryesia e takimit do të transferohet nga Egjipti në Katar.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje pajtimi me Katarin gjatë një samiti të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit më 5 janar të këtij viti për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje më shumë se 3-vjeçare.
Në vitin 2017, të katër vendet ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Katarin, duke akuzuar Dohën për mbështetje të terrorizmit.
Katari mohoi akuzën duke theksuar se bllokada tokësore, detare dhe ajrore ishte një përpjekje për të shkelur sovranitetin e vendit.