Bota

Kreu i opozitës ruse thotë se Merkel e ka vizituar në spital

Alexey Navalny thotë se takimi me Merkel ishte "privat dhe nuk ishte sekret"

Elena Teslova  | 28.09.2020 - Përdıtësım : 29.09.2020
Kreu i opozitës ruse thotë se Merkel e ka vizituar në spital

Moskë

Lideri i opozitës ruse, Alexey Navalny, konfirmoi të hënën se kancelarja gjermane, Angela Merkel, e vizitoi atë në spital në Berlin, raporton Anadolu Agency (AA).

"Pati takim, por nuk duhet referuar si 'sekret', përkundrazi ishte një takim privat dhe bisedë me familjen. Unë jam shumë mirënjohës ndaj kancelares Merkel për vizitën që ma bëri në spital", u shpreh Navalny në Twitter.

Navalny, 44 vjeç, i cili është një kritik i ashpër i Presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas një ulje emergjente në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus përpara se të dërgohej në Berlin për mjekim.

Pas kryerjes së testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë njoftuan se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Britanisë së Madhe, gjatë një sulmi të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.

Autoritetet ruse mohojnë çfarëdo përfshirje në rast, duke thënë se armët kimike nuk janë zhvilluar ose prodhuar në vend që kur u shkatërruan pakot e fundit në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Aktualisht, Novichok dihet se prodhohet në SHBA dhe Gjeorgji, sipas Yury Shvytkin, një anëtar i dhomës së ulët të parlamentit rus, Duma e Shtetit.

Rusia në vazhdimësi kërkon provë të helmimit, duke thënë se gjurmët e agjentit nervor nuk u gjetën gjatë qëndrimit të Navalny në Omsk dhe se është e nevojshme të hapet një hetim penal i asaj që ndodhi. 



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.