Kremlini vlerëson ftesën e presidentit Erdoğan drejtuar Putinit dhe Zelensky-t
"Mirëpresim përpjekjet e çdo vendi që mund të ndihmojë në zgjidhjen e situatës në Ukrainë", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov
Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lidhur me ftesë që presidenti Recep Tayyip Erdoğan i bëri presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për zgjidhjen e problemeve mes Rusisë dhe Ukrainës, njoftoi se mirëpresin përpjekjet nga çdo vend që mund të ndihmojë në zgjidhjen e situatës në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Peskov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me ftesën në Turqi që presidenti Erdoğan i ka bërë Putinit dhe Zelensky-t për t'i dhënë fund tensionit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Mosmarrëveshja kryesore mes Rusisë dhe Ukrainës ka të bëjë me ndalimin e zbatimit të Marrëveshjes së Minskut nga Kievi, deklaroi Peskov, i cili tha se "Mirëpresim përpjekjet e çdo vendi që mund të ndihmojë në zgjidhjen e situatës në Ukrainë".
"Do ta mirëpresim me 'kënaqësi' nëse Turqia mund të ndikojë tek Ukraina për të zbatuar Marrëveshjet e Minskut dhe për ta inkurajuar atë që të përmbushë marrëveshjet dhe angazhimet e mëparshme", theksoi Peskov, duke shtuar se çështja për vendin e takimeve është në plan të dytë dhe se ndikimi i Ukrainës është parësor.
Pasi tërhoqi vëmendjen se situata në Ukrainë është goxha e tensionuar, Peskov njoftoi se kanë shikuar që ndaj këtij vendi janë kryer furnizime të armëve, janë zhvilluar manovra ushtarake dhe se avionët e NATO-s dhe vendeve të Evropës Perëndimore kanë kryer fluturime në këtë vend.
"Të gjitha këto shkaktojnë tension përreth Ukrainës", u shpreh Peskov.
Ndër të tjera, Peskov shtoi se në ditët e ardhshme presin të marrin përgjigje me shkrim nga SHBA-ja lidhur me çështjen e garancisë së sigurisë.
Ftesa e Erdoğan-it ndaj Putinit dhe Zelensky-t
Zëdhënësi i presidencës turke, İbrahim Kalın, kishte deklaruar se presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka biseduar edhe me presidentin rus Vladirmir Putin, edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për zgjidhjen e problemeve mes Rusisë dhe Ukrainës.
"(Erdoğan) Madje i ka ftuar që të dy nëse dëshirojnë të vijnë në Turqi dhe të zhvillojnë një takim për të zgjidhur problemet dhe ndryshmet mes tyre. Turqia është e gatshme të luajë çdo rol të mundshëm për të pakësuar tensionin mes Rusisë dhe Ukrainës. Këtë e bëjmë si mik edhe i Rusisë, edhe i Ukrainës, por edhe si aleat i NATO-s", ishte shprehur Kalın.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.