Burç Eruygur
20 Shkurt 2023•Përditësim: 21 Shkurt 2023
Kremlini tha sot se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Moldavisë aktualisht janë "shumë të tensionuara" pasi lidershipi i saj është "fokusuar në gjithçka anti-ruse", raporton Anadolu.
"Ne tashmë kemi marrëdhënie shumë, shumë të tensionuara me Moldavinë. Në të njëjtën kohë, lidershipi moldav siç duket është fokusuar në gjithçka anti-ruse. Ajo gjithashtu rrëshqet në histeri anti-ruse. Një mungesë e tillë konstruktivizmi vështirë se mund të ndihmojë vetë Moldavinë dhe natyrisht, kjo dëmton marrëdhëniet tona dypalëshe”, deklaroi në një konferencë shtypi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov tha se autoritetet moldave gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm në vlerësimet e tyre për Transnistrinë, një shtet i shkëputur i panjohur që njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë.
Reagimi i Kremlinit erdhi vetëm disa ditë pas betimit të qeverisë së re të Moldavisë, e udhëhequr nga ekonomisti properëndimor Dorin Recean.
Natalia Gavrilita dha dorëheqjen si kryeministrja e vendit më 10 shkurt pas 18 muajsh në pushtet, një periudhë e cila shënohet me trazira ekonomike dhe tensione të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.
Ndërkohë, presidentja Maia Sandu kishte thënë se Rusia dëshiron të organizojë një grusht shteti në Moldavi dhe bëri thirrje për masa të shtuara sigurie.
Nga ana tjetër, policia kufitare kishte zbuluar mbetje nga një raketë e rënë nga sulmet ajrore ruse në komunën Larga që kufizohet me Ukrainën. Ky ishte rasti i katërt ku mbetjet e raketave nga sulmet në Ukrainë ranë në Moldavi.
Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë pretendimet e Sandus, duke thënë: "Ndryshe nga vendet perëndimore dhe Ukraina, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Moldavisë dhe vendeve të tjera të botës".