Islam Uddin
04 tetor 2021•Përditësim: 04 tetor 2021
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut rivendosën linjat ndërkufitare të komunikimit që u ndërprenë nga Pheniani në korrik, duke rritur shpresat për rifillimin e dialogut të bllokuar ndërkorean, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dy palët kishin kontakte përmes një linje telefonike ushtarake dhe një kanali të veçantë zyre ndërlidhëse, sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut të cituar nga Agjencia e Lajmeve Yonhap.
Vitin e kaluar, Koreja e Veriut hodhi në erë zyrën ndërlidhëse dhe në mënyrë të njëanshme ndërpreu të gjitha linjat e komunikimit ndërkoreane për shkak të fletushkave kundër Phenianit të shpërndara nga Koreja e Jugut.
Linjat telefonike u kthyen shkurtimisht në funksion në fund të korrikut para se të pezulloheshin nga Koreja e Veriut në shenjë proteste ndaj një stërvitjeje ushtarake vjetore të kombinuar të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Javën e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-Un shprehu gatishmërinë e tij për të rivendosur linjat e komunikimit ndërkufitar nga fillimi i tetorit, për të "realizuar pritshmërinë dhe dëshirën e gjithë kombit që duan që marrëdhëniet Veri-Jug të rivendosen sa më shpejt të jetë e mundur dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në Gadishullin Korean".
Seuli përshëndeti lëvizjen dhe shpresoi për rivendosjen e dialogut ndërkorean.
Rivendosja e linjave të komunikimit shihet se "ka përgatitur terrenin për rikthimin e marrëdhënieve midis dy Koreve në rrugën e duhur", citoi agjencia Ministrinë e Unifikimit.
Në një fjalim të fundit të OKB-së, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in propozoi përsëri shpalljen e një përfundimi zyrtar të Luftës Koreane të viteve 1950-53.
Ministri i Unifikimit Lee In-Young u tha gazetarëve në Berlin të dielën se Koreja e Jugut do të përpiqet të organizojë bisedime të nivelit të lartë me Korenë e Veriut para fundit të këtij viti.