Riyaz Khaliq
25 Qershor 2020•Përditësim: 26 Qershor 2020
Derisa Koretë e ndara sot shënojnë 70-vjetorin e Luftës Koreane, Seuli dhe Washingtoni kanë kërkuar nga Pheniani që të respektojë marrëveshjet e vitit 2018 për paqen në Gadishull, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Jeong Kyeong-doo dhe Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Mark Esper, në një deklaratë të përbashkët theksuan se "ata do të vazhdojnë të mbështesin diplomacinë për denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut".
"Të dy udhëheqësit i bëjnë thirrje Koresë së Veriut të përmbushë angazhimet e saj në përputhje me marrëveshjet të tilla siç janë deklarata e përbashkët e nënshkruar në Singapor pas samitit të Koresë së Veriut-SHBA dhe paktit ushtarak ndërkorean të 19 shtatorit", theksohet më tej.
Seuli dhe Washingtoni riafirmuan angazhimin e tyre për "të ruajtur një qëndrim të fortë të kombinuar të mbrojtjes".
Lufta Koreane shpërtheu më 25 qershor të vitit 1950, dhe SHBA që nga ajo kohë, ka një prani ushtarake në Jug.
Të dy Koretë teknikisht mbeten në luftë me njëri-tjetrin pasi konflikti përfundoi në një armëpushim në vitin 1953, por jo me një traktat paqeje.
Përvjetori vëzhgohet mes tensioneve të rritura bilaterale, veçanërisht të nxitura nga dështimi i Jugut për të ndaluar dërgimin e broshurave të propagandës në kufi.
Si përgjigje, Veriu ndërpreu të gjithë komunikimin me Jugun. Koreja e Veriut po ashtu hodhi në erë zyrën ndërlidhëse simbolike pranë kufirit.
Ministri i Unifikimit të Koresë së Jugut dha dorëheqje javën e kaluar, duke thënë se merr përgjegjësinë për përkeqësimin e marrëdhënieve ndërkoreane.