Ekip
21 prill 2018•Përditësim: 21 prill 2018
SEUL (AA) - Koreja e Veriut njoftoi të shtunën se do të ndalojë zhvillimin e armëve bërthamore, më pak se një javë përpara samitit të parë ndërkorean, në më shumë se një dekadë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nga data 21 prill, Koreja e Veriut do të ndalojë testet bërthamore si dhe lançimin e raketave balistike ndërkontinentale", - thuhet në kumtesën e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Lajmi citon liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të ketë thënë se ky komb, tani do të përqendrohet në “ndërtimin e ekonomisë të bazuar në socializëm”.
Megjithatë, Kim foli për çështjen e denuklearizmit, duke këmbëngulur se vendi i tij tashmë është ngjitur në një status të forcës politike dhe ushtarake.
Tani mbetet të shihet se cilat kushte Veriu do të duhet t'i përmbushë, në mënyrë që të hiqen sanksionet ekonomike ndaj tij, të zbatuar pikërisht nga shkaku i kërcënimit bërthamor.
Zyrtarët e Koresë së Jugut, propozojnë diskutimin e një traktati paqeje, gjatë samitit ndërkorean, i cili do t'u jepte fund tensioneve shumëdekadëshe midis dy Koreve, më saktësisht që nga përfundimi i Luftës së Koresë në vitin 1955.
Një gjë e tillë do të përgatiste rrugën për takimin e planifikuar të kreut verikorean, Kim, me presidentin amerikan, Donald Trump, që pritet të mbahet së shpejti.
"Ky është një lajm shumë i mirë për Korenë e Veriut dhe për Botën, përparim i madh. Presim Samitin tonë", shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar vendimit të fundit të Koresë së Veriut.