Ekip
23 Gusht 2021•Përditësim: 23 Gusht 2021
I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan, Joe Biden, për Korenë e Veriut, Sung Kim, tha se udhëheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e gatshme të takohet me udhëheqësit e Koresë së Veriut kudo dhe në çdo kohë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kim mbërriti për një vizitë zyrtare në Korenë e Jugut dhe me ketë rast nga Seuli deklaroi se Koreja e Veriut duhet të kthehet në bisedimet mbi programin bërthamor.
Duke theksuar se stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut janë të një natyre paqeje dhe mbrojtëse, Kim tha se të dy vendet nuk janë armiqësore ndaj Koresë së Veriut.
"Koreja e Veriut duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi gati të takohemi gjithmonë dhe kudo", tha i dërguari amerikan Kim.
Ushtritë e SHBA-së dhe Koresë së Jugut po kryejnë një stërvitje të madhe ushtarake në Gadishullin Korean, kurse autoritetet e Koresë së Veriut kanë paralajmëruar se veprimtari të tilla ushtarake kërcënojnë stabilitetin në rajon dhe kanë njoftuar një intensifikim të gatishmërisë së tyre ushtarake.
Autoritetet e Koresë së Veriut në fund të qershorit thanë se nuk donin të vazhdonin negociatat bërthamore me SHBA-në, por pas një bllokade njëvjeçare në fund të korrikut, ata hapën kanalet e komunikimit me Korenë e Jugut.