Zehra Ulucak
20 Nëntor 2017•Përditësim: 21 Nëntor 2017
ANKARA (AA) - Koreja e Jugut ka konfirmuar se në një fermë patash në jugperëndim të vendit është vërejtur epidemi i gripit të lartë patogjen të shpendëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Punëve Rurale, Kim Yung Rok, tha se pas rastisjes së gripit të shpendëve në fermën e patave në rajonin Goçnang, 300 kilometra në jugperëndimt të kryeqytetit Seul, lëvizja e shpendëve të fermës në tërë vendin është ndaluar për 48 orë.
Ndalesa e vendosur për të luftuar kundër epidemisë së virusit përfshin edhe automjetetet e fermave të shpendëve dhe punonjësit e tyre, njoftoi ministri Kim.
"Në të gjitha fermat e shpendëve dhe objektet relevante në vend janë marrë masat më të larta mbrojtëse", ka thënë Kim.
Siç thuhet, rreth 12 mijë e 300 pata janë asgjësuar në fermë pas evidentimit të virusit të tipit H5N6.
Në ndërkohë, agjencia e lajmeve Yonhap, duke u bazuar në zyrtarë qeveritarë, ka thënë se pas epidemisë që vërehet për herë të parë këtë dimër, në vend do të dezinfektohen të gjitha fermat dhe automjetet e shpendëve.
Ndryshe, miliona pula dhe pata u asgjësuan në Korenë e Jugut si pasojë e gripit të shpendëve që shpërtheu mes muajit nëntor të vitit të kaluar dhe muajit mars të këtij viti.
Gripi i shpendëve ishte zbuluar në muajt e parë të vitit 2004 në Kinë, Indonezi, Kore të Jugut, Hong Kong, Japoni, Kamboxhia, Laos, Tajlandë dhe Vietnam.
Dhjetra mijëra shpendë të fermave ishin asgjësuar në botë si rezultat i gripit të shpendëve.