KABUL (AA) – Me nisjen e vitit të ri, konflikti i gjatë në Afganistan po zhvendoset në një formë të luftës psikologjike përderisa të gjitha palët janë viktima.
Statistikat e përpiluara nga Anadolu Agency (AA) tregojnë se vetëm në muajin dhjetor të paktën 150 pjesëtarë të forcave të sigurisë, 184 civilë dhe qindra kryengritës të armatosur u vranë një një varg incidentesh vdekjeprurëse, përderisa 14 trupa të NATO-s u vranë gjatë vitit 2018.
Numri i të vdekurve vazhdimisht i lartë pasqyron një vendosmëri nga qeveria dhe talebanët për të demonstruar pushtetin e tyre në mes të një nxitimi të dukshëm nga Washingtoni për të përfunduar luftën e gjatë të Amerikës.
Kabuli tregon "muskujt"
Në anën e qeverisë së Kabulit, kontrolli i Forcave Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Afganistanit (ANSDSF) tani mbështetet në dy ish-spiunë me një qasje të ashpër pas një riorganizimi të madh të muajit të kaluar në udhëheqjen e institucioneve të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Presidenti afgan, Mohammad Ashraf Ghani, emëroi ish-shefat e inteligjencës, Amrullah Saleh dhe Assadullah Khalid, ministër të Brendshëm dhe ministër të Mbrojtjes. Në vërejtjet e tyre fillestare, të dy theksuan strukturën e politikave për ANSDSF-në me një fokus të qartë duke synuar pa mëshirë rebelët jo vetëm nën skenarin e zakonshëm të mbrojtjes, por edhe më shumë në drejtim të sulmeve të shkallëzuara në bastionet e talebanëve dhe DEASH-it.
“Për kaq gjatë, forcat tona kishin sloganin ‘Sar Warkao, Sangar Na Warkawo’ (Pashto për ‘Do të vdiste, po nuk do të dorëzohej’). Por, me gjithë respektin e duhur ndaj këtij slogani të vjetër, tani slogani ynë do të jetë ‘Sar Waho, Sangar Tre Neso’ (Do t’i vrasim ata, do të pushtojmë bastionet e tyre)”, tha Khalid në një mbledhje të ushtarëve afganë në fjalimin e tij të parë pasi mori përgjegjësinë për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Syed Ghafor Javed, për AA tha se strategjia e ardhshme është përqendruar në eliminimin e udhëheqjes së rebelëve dhe burimeve financiare nëpërmjet operacioneve të synuara.
“Nga tani e tutje, në baza mesatare, 15 sulme ajrore në ditë po zhvillohen për të eliminuar lidershipin taleban dhe burimet e tyre financiare. Kjo ka dhënë rezultate pozitive”, tha ai.
Më tej, ai theksoi se kohët e fundit një numër i madh i guvernatorëve të talebanëve dhe komandatët kryesorë militantë janë vrarë.
Kjo është pasqyruar edhe në statistikat e lëshuara nga Misioni i Mbështetjes së Përhershme i udhëhequr nga NATO në Afganistan, të cilat tregojnë se që nga 9 nëntori 1.089 luftëtarë talebanë, duke përfshirë nënkomandatë, janë vrarë në operacionet e udhëhequra nga afganët dhe të mbështetur nga sulmet ajrore të koalicionit.
Gjithsej 392 sulme ajrore u kryen në muajin nëntor dhe 150 në tre javët e para të dhjetorit. Sipas Misionit të Mbështetjes së Përhershme, 450 talebanë u vranë në sulmet ajrore të muajit dhjetor.
Në fjalimin e tij, Khalid po ashtu tha se talebanët do të detyrohen të pranojnë bisedimet e paqes të udhëhequra në Afganistan.
Rebelët të paprekur
Megjithatë, rebelët nuk kanë treguar shenja të dobësimit ose dorëzimit. Vetëm në muajin dhjetor, grupi organizoi sulme të shumta të koordinuara dhe sulme IED, veçanërisht në provincat veriore Faryab, Sar-e-Pul dhe Jawzjan, si dhe në provincat perëndimore Farah dhe Herat. Vlerësimet e mbledhura nga AA tregojnë se të paktën 150 pjesëtarë të forcave të sigurisë afgane, përfshirë katër komandantë të policisë rajonale, humbën jetën në këto sulme.
Sulmi terrorist më vdekjeprurës gjatë muajit të kaluar ishte sulmi me autobomba i 24 dhjetorit pasuar nga rrethimi i një kompleksi qeveritar në Kabul, i cili la 43 të vdekur, shumica e të cilëve punonjës të sektorit civil. Talebanët mohuan përfshirjen në këtë sulm.
Në shqyrtimin taleban të vitit 2018, zëdhënësi Zabihullah Mujahed tha në Twitter se grupi ka zgjeruar kontrollin e tij në 29 rrethe të tjera në të gjithë Afganistanin. Ai vuri në dukje se gjithsej 10.638 sulme u kryen, duke vrarë më shumë se 20 mijë forca afgane dhe aleate.
Muajin e kaluar, disa media amerikane njoftuan se Washingtoni po shqyrtonte tërheqjen e 7.000 trupave nga Afganistani, por kjo nuk është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë.
Pozita e fuqisë
Mohammad Arif, një analist i mbrojtjes, duke folur për AA tha se të dyja palët janë në një përpjekje për të hyrë në bisedimet e propozuara të paqes në një pozitë të fuqishme.
“Talebanët kanë filluar një ofensivë diplomatike, tani duke pasur kontakte, të cilat më parë u mbajtën sekrete, me Iranin, Pakistanin, Rusinë dhe vendet e tjera, si dhe natyrisht ndërveprimin me diplomatin amerikan Zalmay Khalilzad. Ata me siguri kërkojnë një pjesë të madhe në çdo instalim të ardhshëm që duket se SHBA-të kërkojnë urgjentisht”, tha Arif.
Presidenti Ghani e ka bërë të qartë se procesi i propozuar i paqes në të vërtetë do të udhëhiqet nga afganët. Por, refuzimi i vazhdueshëm i talebanëve për t’u takuar me zyrtarët afganë mbetet një pengesë për ta kuptuar këtë.
Mbretëria e Arabisë Saudite këtë muaj do të mbajë një seancë mbi procesin e propozuar të paqes në Xheda, me takimin e përfaqësuesve të talebanëve dhe të SHBA-ve ballë për ballë.
Një zëdhënës i Këshillit të Lartë të Paqes në Afganistan, Syed Ehsan Tahiri, tha se shpresohet që bisedimet e drejtpërdrejta me talebanët të zhvillohen në Arabinë Saudite.
“Ne përshëndesim dhe mbështesim të gjitha ofertat për paqen në Afganistan. Ne shpresojmë që premtimet e bëra do të realizohen”, tha ai.