Bota

Konashenkov: Forcat ruse vranë rreth 40 ushtarë ukrainas

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se janë shkatërruar disa pika të komandës, depo karburanti, tanke, automjetet e blinduara, dronë dhe shumë objekte ushtarake

Elena Teslova  | 20.04.2022 - Përdıtësım : 21.04.2022
Konashenkov: Forcat ruse vranë rreth 40 ushtarë ukrainas

Moskë

Forcat ruse vranë rreth 40 ushtarë ukrainas dhe goditën mbi 1.000 objekte ushtarake ukrainase në operacionet e natës, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Sulmet me raketa me precizitet të lartë vranë rreth 40 ushtarë ukrainas dhe shkatërruan shtatë njësi të pajisjeve ushtarake në Novovorontsovka dhe Kislevka", tha zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov në një konferencë për media në Moskë.

Ai tha se Forcat Strategjike të Raketave goditën 1.053 objekte ushtarake, përfshirë 31 pika komandimi, 6 depo karburanti, 910 bastione dhe zona të përqendrimit të forcave njerëzore të armikut si dhe 106 pozicione të qitjes me artileri.

"Objektet tjera ushtarake ukrainase të shënjestruara gjatë natës përfshinin katër pika komandimi, katër depo municionesh, shtatë bastione dhe 57 zona të përqendrimit të forcave njerëzore të armikut dhe pajisjeve ushtarake ukrainase", shtoi Konashenkov.

Sipas tij, gjashtë tanke ukrainase, nëntë automjete të blinduara dhe një bateri Msta-B u shkatërruan.

Ai tha se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjashtë mjete ajrore pa pilot dhe dy raketa taktike Tochka-U.

“Në total, që nga fillimi i operacionit ushtarak special, 140 avionë ukrainas, 496 mjete ajrore pa pilot, 253 sisteme raketore kundërajrore, 2388 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 256 raketahedhës me shumë tyta, 1029 artileri fushore dhe armë mortajash, si dhe 2232 automjete speciale ushtarake janë shkatërruar”, tha Konashenkov.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, numri i viktimave të civilëve në Ukrainë është rritur në 2.104 ndërsa 2.862 persona të tjerë janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 4.9 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.