Aydoğan Kalabalık
07 korrik 2023•Përditësim: 07 korrik 2023
Ministri libian i Naftës dhe Gazit Natyror, Mohamed Aoun, tha se kompanitë turke janë zgjedhja kryesore për kërkimet sizmike në Libi.
"Për shkak të afërsisë gjeografike që ka Türkiye dhe përvojës që kanë kompanitë turke në fushën e kërkimit sizmik, përparësi do t’u jepet firmave turke", tha Aoun për Anadolu.
Ministri tha se ai i ka kërkuar Korporatës Kombëtare Libiane të Naftës (NOC) të hartojë planin për zbulimet e naftës dhe gazit natyror.
"Aktivitete të kërkimit të naftës dhe gazit natyror nuk janë kryer në 30-40 për qind të tokave dhe deteve libiane", tha Aoun.
"Asnjë studim sizmik nuk është kryer në ato rajone", shtoi ai.
- Prodhimi i naftës në Libi
Aoun tha se Libia ishte përjashtuar nga "vendimi për të reduktuar prodhimin e naftës" të marrë nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) vitin e kaluar.
"Libia nuk mund të reduktojë prodhimin e naftës për shkak të kushteve të saj ekonomike", tha ai.
"Prodhimi i naftës në vend është stabilizuar që nga korriku 2022 dhe prodhimi i naftës bruto ka arritur mesatarisht 1,2 milion fuçi në ditë", shtoi ministri libian.
- 41 fusha të reja të zbuluara
Aoun tha se sipas të dhënave zyrtare, janë zbuluar 29 fusha të reja nafte dhe 12 fusha të gazit natyror.
Ministri libian deklaroi se fushat e reja të zbuluara nuk kanë mundur të zhvillohen për shkak të ujërave të mëdha territoriale të Libisë.
Aoun shprehu shpresën e tij për eksplorimin në zonat ekskluzive ekonomike midis Italisë, Greqisë, Maltës, Türkiyes dhe Libisë.
Ai tha se "aktualisht nuk është e mundur që Libia të rrisë eksportet e saj të gazit natyror në vendet evropiane".
"Termocentralet në vend mund të plotësojnë vetëm nevojat e brendshme", shtoi ai.
"Kur të rrisim prodhimin tonë ditor në 2 milionë fuçi, do të rriten edhe eksportet tona të naftës në Evropë", tha Aoun.
Aoun deklaroi gjithashtu se sipas hulumtimeve, Libia është vendi i pestë në botë për sa i përket pasurisë së naftës argjilore dhe gazit natyror.