Ekip
04 Shkurt 2020•Përditësim: 06 Shkurt 2020
Komisioni i përbashkët ushtarak që përfaqëson qeverinë e Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe forcat lindore rebele të Libisë do të takohen në Gjenevë në ditën e dytë në përpjekje për shndërrimin e armëpushimit aktual në një "armëpushim të plotë", tha të martën i dërguari i Libisë në OKB, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për shtyp në Gjenevë para fillimit të bisedimeve të komisionit të formatit 5+5, Ghassan Salame vlerësoi përpjekjet e Turqisë dhe Rusisë në arritjen e një armëpushimi që është paraparë të shndërrohet në paqe të qëndrueshme.
Më 12 janar, palët e konfliktit në Libi njoftuan një armëpushim si përgjigje ndaj një thirrjeje të përbashkët të liderëve turq dhe rus. Megjithatë, bisedimet për një armëpushim të përhershëm përfunduan pa marrëveshje pasi komandanti rebel Khalifa Haftar u largua nga Moska pa e nënshkruar marrëveshjen.
"Ekziston një vullnet i vërtetë që të dy palët të ulen së bashku", tha Salame.
"Ka pasur shumë përpjekje për të zyrtarizuar pranimin e armëpushimit në diçka formale, por kishte një ngurrim, veçanërisht nga ana e Haftarit", theksoi Salame.
"Të dy palët kanë ardhur në Gjenevë dhe ne filluam dje të diskutojmë një listë të gjatë të pikave në agjendën tonë për ta bërë marrëveshjen më të fortë, të shkelur më rrallë dhe gjithashtu të qëndrueshme, e cila mund të shndërrohet në një armëpushim", shtoi ai.
Haftar ra dakord në një konferencë në Berlin muajin e kaluar për të caktuar anëtarët në komisionin ushtarak të propozuar nga OKB me pesë anëtarë nga secila anë palë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.
"Ne nuk po lëmë mënjanë asnjë nga pyetjet që janë të nevojshme për të patur një armëpushim të qëndrueshëm", deklaroi Salame.
Salame tha se ai dëshiron që shtetet e OKB-së ta mbështesin procesin që Libia të rifillojë prodhimin bregdetar të naftës, i cili kishte rënë në 72.000 fuçi në ditë nga 1,3 milion fuçi më herët, si dhe në det të hapur.
Të gjitha palët në konferencën e Berlinit kishin kërkuar nga kryeministri i Libisë, Fayez al Sarraj, dhe komandanti i forcave jolegjitime lindore Khalifa Haftar, "të zgjasin armëpushimin, në mënyrë që të mundësohet një shans për diplomacinë".
Marrëveshja e Berlinit më 21 Janar angazhon nënshkruesit të mos ndërhyjnë në luftën civile të Libisë, të mbështesin armëpushimin, të respektojnë embargon e armëve dhe të mbështesin procesin politik të ndihmuar nga OKB.