Lokman İlhan
25 Janar 2018•Përditësim: 26 Janar 2018
BOGOTA (AA) - Qindra motoçiklistë në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, e ngadalësuan trafikun duke protestuar për "ndalesën e uljes së pasagjerëve meshkuj në pjesën pasme të motoçikletës", raporton Anadolu Agency (AA).
Motoçiklistët nga Bogota u mblodhën në rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit pasi që kryebashkiaku i Bogota-s, Enrique Penalosa, njoftoi se në motoçikletat me madhësi të motorit mbi 125 cc, nuk do të mund të udhëtojnë pasagjerë meshkuj pas personit që e nget motoçikletën.
Ata e ngadalësuan trafikun për të protestuar kundër ndalesës të njoftuar nga Penalosa, e cila do të zbatohet në kuadër të masave të sigurisë në qytet.
Sipas raporteve të policisë vitin e kaluar në Bogota vjedhësit ishin përfshirë në mbi 5 mijë grabitje.
Në këtë vend grabitjet shpesh herë bëhen me ndihmën e motoçikletave, ndërsa motoçikletat përdoren edhe nga vrasësit.
Ndalesa deri më tani zbatohet në qytetet Cucuta, Cali, Barranquilla dhe Ibague. Ndërsa në Medellin ishte hequr me vendimin e gjykatës.