Qais Omar Darwesh Omar,Çağrı Koşak
12 Tetor 2022•Përditësim: 12 Tetor 2022
Duke reaguar ndaj vrasjes së një ushtari izraelit, kolonët hebrenj bllokuan rrugët dhe sulmuan automjetet e palestinezëve në Bregun Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas dëshmitarëve okularë, dhjetëra kolonë hebrenj bllokuan rrugët në qytetin verior të Nablusit në Bregun Perëndimor.
Kolonët, të cilët mbyllën rrugët Huwara dhe Nablus në qytet, dëmtuan automjetet e palestinezëve duke hedhur gurë.
Përveç sulmeve në Nablus kolonët hebrenj bllokuan rrugët në Betlehem dhe Hebron.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se një palestinez u plagos pasi automjeti i tij u sulmua nga kolonët hebrenj pranë fshatit Lubban al-Sharkiyya, në jug të Nablusit.
Mësohet se palestinezit të plagosur i është dhënë ndihma e parë në farmacinë e fshatit.
Thuhet se ka pasur një përleshje mes forcave izraelite dhe palestinezëve pasi hyrja në qytetin Beyta, në jug të Nablusit është mbyllur nga ushtarët izraelitë. Forcat izraelite ndërhynë me municion të vërtetë, plumba metalikë dhe lotsjellës kundër palestinezëve.
Një ushtar izraelit është vrarë në një sulm të armatosur që ndodhi sot pranë vendbanimit ilegal hebre të quajtur "Shavei Shomron" në veri të Bregut Perëndimor.