Muhammed Emin Canik
06 Korrik 2019•Përditësim: 07 Korrik 2019
Klubi futbollistik argjentinas River Plate ka hapur dyert e stadiumit të tij "El Monumental", për njerëzit e pastrehë në Buenos Aires për t'iu shmangur temperaturave të ulëta në këtë qytet, raporton Anadolu Agency (AA).
Temperaturat në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, këto ditë kanë rënë deri në zero, gjë që ka shkaktuar vdekjen e të paktën 5 personave të pastrehë në vend.
Kjo fushatë u inicua nga organizata humanitare "Red Solidaria" ndërsa kryetari i saj Juan Carr, në një deklaratë për AA tha se kjo ishte një fushatë humanitare që zgjati tri ditë. Carr shtoi se në aksion janë përfshirë 180 vullnetarë, përfshirë punonjësit e stadiumit.
"Në ditën e parë kemi ndarë ushqime për 242 njerëz, 103 prej të cilëve kanë kaluar natën këtu. Dje kemi pasur 340 persona, 114 kanë fjetur këtu. Sot do të kemi rreth 120 njerëz dhe kjo është dita e fundit e aksionit tonë", tha Carr.
Ai shtoi se ideja për të hapur dyert e stadiumit për njerëzit e pastrehë erdhi pasi 5 persona humbën jetën nga moti i ftohtë në Argjentinë. Ai tha se ata i dërguan një kërkesë klubit të River Plates dhe ata e mbështetën.
Carr tha se nuk mbahet mend që një klub ndonjëherë të ketë hapur dyert për njerëzit e pastrehë dhe se solidariteti që treguan Argjentina dhe Amerika e Jugut është për t'u lavdëruar.
Të pastrehëve, në stadiumin e River Plates, përveç ushqimit, u janë ndarë edhe veshmbathje.
Sipas qytetit të Buenos Airesit, rreth 7.000 njerëz të pastrehë jetojnë në rrugët e këtij qyteti, përfshirë 1.000 të mitur.