Ekip
16 Shtator 2017•Përditësim: 17 Shtator 2017
SEUL (AA) – Lideri koreano-verior Kim Jong-un këmbëngul se shteti i tij do të vendos një ekuilibër më Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ashtu që do të përfundojë zhvillimin bërthamor, pavarësisht sanksioneve të cilave u është nënshtruar shteti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e Kim Jong-un janë bërë pasi kishte vëzhguar të premten testin më të fundit të raketës balistike e cila fluturoi mbi Japoni.
"Ne duhet t'u tregojmë qartë shovinistëve të fuqishëm se si shteti ynë arrin qëllimin e arritjes së forcës bërthamore pavarësisht sanksioneve dhe bllokadave të tyre të pafundme", ka thënë Kim i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Pheniani i është nënshtruar një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e nënta që nga viti 2006, si pasojë e testit të saj bërthamor të kryer më 3 shtator, pasi shtetit i janë ndaluar testet bërthamore dhe të raketave balistike.
Masat më të reja ndëshkuese përfshijnë kufizimin e qasjes së Koresë së Veriut në naftë, por analistët besojnë se shteti do të jetë në gjendje të mbijetojë me mbështetjen kineze dhe ruse.
Presidenti amerikan Donald Trump sërish ka paralajmëruar Phenianin se me testin e fundit po provokon operacione ushtarake kundër tij.
Ndërsa Veriu ka refuzuar të pranojë ofertat koreano-jugore për dialog, vërejtjet e Kim shprehin qartë se Pheniani dëshiron respektin e Washingtonit.
"Qëllimi ynë përfundimtar është të vendosim ekuilibrin e forcës reale me Shtetet e Bashkuara dhe të bëjmë që sunduesit e SHBA-ve të mos guxojnë të flasin për opsionin ushtarak", tha ai.