Abdula Berisha
26 Maj 2023•Përditësim: 28 Maj 2023
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar duke dënuar aktet e njëanshme, duke bërë thirrje për përmbajtje, transmeton Anadolu.
Përmes një njoftimi, nga KFOR bëjnë të ditur se janë duke monitoruar nga afër situatën në komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar disa përplasje "nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave".
"Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë", thuhet në njoftim, ku shtohet:
"Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë".
Kryeministri Kurti takohet me komandantin e KFOR-it
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zv/kryeministrin Besnik Bislimi pritën në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar në lidhje me situatën në vend.

Siç theksohet në kumtesën e dërguar nga Qeveria e Kosovës, "liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etnike apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve".
Gjithashtu, në kumtesë thuhet se institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë.
"Kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa. Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim", thuhet në kumtesë.
Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se objektet e komunës janë pronë e Republikës së Kosovës.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Policia e Kosovës gjatë ditës njoftoi se ka "asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.
Policia bëri të ditur se në incidentet me banorët lokalë janë lënduar pesë zyrtarë policorë, të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore, si dhe janë shkaktuar edhe dëme materiale ndaj katër automjeteve zyrtare.
Situata në Zveçan tani është e qetë, ndërsa pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë ende në objekt dhe para ndërtesës së komunës. Në ndërtesën e komunës ndodhet edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot me ndihmën e policisë ka hyrë në ndërtesën e komunës
Gjithashtu me ndihmën e policisë, në ndërtesat komunale kanë hyrë edhe kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Në këto tri komuna, autoritetet lokale të Kosovës ndajnë të njëjtat ndërtesa me Autoritetet e Përkohshme të Republikës së Serbisë për ato komuna.