Katari dënon sulmin e Izraelit në fshatrat e Damaskut: Shkelje flagrante e sovranitetit të Sirisë
Ministria e Jashtme e Katarit tha se "përshkallëzimi thellon tensionet dhe minon përpjekjet për të arritur siguri dhe stabilitet në rajon"
Istanbul
Katari sot dënoi sulmin e Izraelit në qytezën Beit Jinn pranë Damaskut, i cili vrau dhe plagosi disa civilë, duke e quajtur atë shkelje flagrante të sovranitetit të Sirisë dhe ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në platformën sociale të kompanisë amerikane X, Ministria e Jashtme e Katarit tha se "përshkallëzimi thellon tensionet dhe minon përpjekjet për të arritur siguri dhe stabilitet në rajon".
Ministria i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndaluar shkeljet izraelite, për të mbrojtur civilët dhe për t'i mbajtur përgjegjës sipas ligjit ndërkombëtar ata që janë përgjegjës.
Katari riafirmon solidaritetin e plotë me qeverinë dhe popullin e Sirisë, duke shprehur mbështetje për të gjitha përpjekjet që synojnë t'i japin fund sulmeve dhe të ruajnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
Të paktën 13 persona u vranë, përfshirë gra dhe fëmijë ndërsa 24 të tjerë u plagosën sot herët në sulmin e Izraelit në Beit Jinn dhe rrugën që çon në të, në zonat periferike përreth kryeqytetit Damask, njoftuan mediat zyrtare siriane.
Ushtria izraelite deklaroi se gjatë sulmit gjashtë ushtarë izraelitë u plagosën, përfshirë tre në gjendje kritike. Ajo tha se kishte arrestuar anëtarë të "Jaama Islamiya", duke pretenduar se "ata vepruan në zonën e Beit Jinn-it në Sirinë jugore dhe kryen sulme të avancuara kundër civilëve izraelitë".
Ushtria izraelite ka kryer 47 bastisje në Sirinë jugore gjatë nëntorit. Të dhënat qeveritare tregojnë se që nga dhjetori 2024, Izraeli ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe mbi 400 bastisje ndërkufitare në provincat jugore.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke pushtuar zonën e demilitarizuar tampon, veprim që shkeli marrëveshjen e vitit 1974 me Sirinë.
