Bota

Junta e Mianmarit mban zgjedhjet e para që nga grushti i shtetit i vitit 2021

Qeveria e zgjedhur e udhëhequr nga Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) e Aung San Suu Kyi u rrëzua në vitin 2021 dhe vendi u zhyt në më shumë se katër vjet gjendje të jashtëzakonshme.

Islam Uddin  | 28.12.2025 - Përdıtësım : 28.12.2025
Junta e Mianmarit mban zgjedhjet e para që nga grushti i shtetit i vitit 2021

Ankara

STAMBOLL (AA) – Sot në Mianmar ka nisur votimi në fazën e parë të zgjedhjeve të përgjithshme, të parat që nga grushti ushtarak i vitit 2021, transmeton Anadolu.

Në fazën e parë të votimeve po marrin pjesë deri në 102 komuna. Faza e dytë dhe e tretë do të mbahen më 11 janar dhe 25 janar, respektivisht, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Votimet e së dielës ishin planifikuar të fillonin në orën 6:00 të mëngjesit me kohën lokale.

Komisioni i Zgjedhjeve ka ngritur 21.517 qendra votimi në mbarë vendin.

Vëzhgues ndërkombëtarë nga Rusia, Kina, Bjellorusia, Kazakistani, Kamboxhia, Vietnami, Nikaragua, India dhe Shoqata Mianmar–Japoni kanë mbërritur tashmë në vend për të monitoruar zgjedhjet.

Qeveria e zgjedhur e udhëhequr nga Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) e Aung San Suu Kyi u rrëzua në vitin 2021 dhe vendi u zhyt në më shumë se katër vjet gjendje të jashtëzakonshme. NLD-ja kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020.

Ndërkohë që 40 parti politike, përfshirë edhe NLD-në, u shpërbënë në vitin 2023, të paktën gjashtë parti — me 4.963 kandidatë — po marrin pjesë në votime.

Në nivel rajonal, 57 parti janë në garë. Partia e Solidaritetit dhe Zhvillimit, e mbështetur nga ushtria, ka paraqitur rreth 1.018 kandidatë.

Duke folur për gazetarët pasi hodhi votën e tij në një qendër votimi në Nay Pyi Taw, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, kryetar i Komisionit të Përkohshëm Presidencial për Sigurinë Kombëtare dhe Paqen, tha se zgjedhjet e organizuara nga ushtria do të jenë të lira dhe të ndershme, sipas medias lokale “News Eleven”.

I pyetur nëse do të kandidojë për presidencë pas votimit, ai tha se është nëpunës civil dhe nuk mund të komentojë apo të ndërmarrë ndonjë veprim.

Megjithatë, ai nuk e përjashtoi një rol pas zgjedhjeve, duke thënë se pasi të mblidhet parlamenti, ekziston një proces kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe vetëm pas atij hapi do të ishte e përshtatshme të flitej.

Mianmari ka një parlament me dy dhoma me gjithsej 664 vende — 440 në dhomën e ulët dhe 224 në dhomën e lartë.

Pas votimit, parlamenti duhet të mblidhet brenda tre muajsh për të zgjedhur kryetarët e dhomave dhe për të zgjedhur presidentin — kreun e shtetit që zgjedh kryeministrin për formimin e qeverisë.

Që nga grushti i shtetit, vendi me shumicë budiste me mbi 54 milionë banorë është përfshirë nga konflikte të brendshme etnike që përfshijnë grupe të armatosura dhe ushtrinë, duke lënë mijëra të vdekur dhe mbi 3,5 milionë të zhvendosur.

Junta ende nuk ka shpallur një datë për numërimin e votave dhe rezultatet e zgjedhjeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın