Sefa Mutlu
17 Shkurt 2017•Përditësim: 18 Shkurt 2017
STAMBOLL (AA) - Ish-sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Jack Straw, tha se "Kemi bërë gabim që kemi lejuar anëtarësimin e Qipros në Bashkimin Evropian", raporton Anadolu Agency (AA).
Në Forumin Botëror të Turizmit të organizuar në Stamboll nën përkujdesin e Presidencës së Turqisë, Straw tha se në një kohë Turqia është larg nga Britania në kuptimin e distancës, porse tani turizmi ka ndihmuar në zhvillimin e të kuptuarit të njerëzve ndaj njëri-tjetrit.
Straw tha se terrori ka ndikim negativ në turizëm, duke vënë në dukje se Britania për shumë vite udhëhoqi luftën kundër IRA-s, me çka Britania ka vuajtur shumë nga terrorizmi.
"Turqia ka vuajtur më shumë. Sidomos më 15 korrik, kur humbën jetën shumë njerëz. Ne kemi parë se sa e lehtë mund të jetë një tentativë ushtarake për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Që në fillim qeveria jonë ka dënuar tentativën për grusht shteti. Kjo dhe sulmet e tilla zvogëlojnë numrin e turistëve. Qeveria britanike thotë se udhëtimet në Turqi janë të sigurta", tha Straw.
Straw foli për të ardhmen e BE-së pas ndarjes së Britanisë nga Unioni dhe tha se "Pranvera Arabe" ishte një gabim.
Ai shtoi se në të kaluarën Lindja e Mesme nuk ka patur përvojë me këtë lloj të udhëheqjeve. "Në fund u shfaqën kërcënimet terroriste. A mund ta kompensojmë dëmin e bërë? Ne nuk e dimë se sa në këto hapësira do të mbijetojnë regjimet autoritare. Dhe, Turqia në masë të madhe ndikohet nga situata në rajon".
Straw foli edhe në lidhje me bisedimet e paqes për Qipron.
"Mendimi im mbi çështjen e Qipros është pozitiv në lidhje me Republikën Turke të Qipros Veriore. Kur është fjala për pjesën greke të Qipros, nuk mund të them të njëjtën gjë. Anëtarësimi i Qipros në BE ishte një gabim i madh. Kjo është bërë në vitin 2004. Ata sollën një vendim të tillë për pjesën greke të Qipros nën udhëheqjen e Papadhopulos. Me këtë hap u krijuan mundësi më të mëdha për pjesën greke të Qipros. Është ulur edhe interesi për ndryshimin e statusit. Në takimet e paqes gjithmonë përfitime më të larta do të mundësojnë udhëheqësit e moderuar. Unë shpresoj që sërish të fillojnë negociatat për paqe", thotë Straw.
Sipas tij, e nevojshme është që bashkësia ndërkombëtare të japë mendimin e saj për ndarjen e ishullit të Qipros. "Njerëzit menjëherë thonë: 'Ju nuk mund ta bëni këtë.' Ka gjëra që janë bërë në shumë vende të botës. Bashkësia ndërkombëtare duhet t'u thotë përfaqësuesve të pjesës greke të Qipros: 'Nëse ju nuk i vazhdoni negociatat, bashkësia ndërkombëtare do të miratojë ndarjen e ishullit.' Mbase në qoftë se thuhet diçka e tillë, negociatat do të fillojnë më shpejtë", potencoi Straw.
I pyetur nëse ka mundësi që në Britani të ndodhë përpjekje për grusht shteti, Straw u përgjigj:
"Forcat e armatosura të Britanisë tashmë 400 vite janë besnikë të familjes mbretërore. Në shekullin XV ka patur probleme. Herë pas here kanë ndodhur tradhti, por besnikëria e forcave të armatosura nga ato ditë deri më tani nuk është vënë në pikëpyetje. Një gjë e tillë është pothuajse e paimagjinueshme në Britani. Ndonjëherë i pyesnim miqtë tanë në Turqi nëse forcat e armatosura do të bënin diçka të tillë në vend. Ata thonin: 'Është e mundur', por probabiliteti është shumë i ulët. Nëse unë do të isha atje, reagimi im do të ishte njëjtë si politikanët në Turqi. Unë ndjeva trishtim dhe zemërim të madh për jetët e humbura. Këto janë gjëra që asnjë britanik nuk mund t'i pranojë".