Ekip
08 Tetor 2020•Përditësim: 08 Tetor 2020
Një gjykatë izraelite ka urdhëruar shembjen e një shkolle të re palestineze në Bregun Perëndimor nën okupim, raporton Anadolu Agency (AA).
Abdullah Abu Rahma, një aktivist palestinez tha se gjykata vendosi që shkolla Ras al-Tenneen në qytetin lindor Ramallah është ndërtuar pa lejen e nevojshme të ndërtimit dhe refuzoi një apel kundër shembjes së saj të afërt.
Rahma për AA tha se 50 fëmijë tashmë janë regjistruar në këtë shkollë, e cila është ndërtuar së fundmi dhe administrohet nga Ministria palestineze e Arsimit.
Ai tha se aktivistët palestinezë kanë filluar të tubohen në shkollë për të parandaluar që zyrtarët izraelitë të shembin objektin.
Shkolla Ras al-Tenneen ndodhet në një pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar të klasifikuar si Zona C, e cila është nën kontrollin e plotë të Izraelit në bazë të Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995.
Sipas aktivistëve dhe zyrtarëve palestinezë, autoritetet izraelite këtë vit kanë shembur mbi 500 ndërtesa dhe objekte palestineze.