Barış Seçkin
20 nëntor 2024•Përditësim: 20 nëntor 2024
ROMË (AA) - Punonjësit e shëndetësisë në Itali filluan grevë 24-orëshe në të gjithë vendin me arsyetimin se janë ndarë më pak burime për sektorin shëndetësor në projektligjin e buxhetit për vitin 2025, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në mediat kombëtare, mjekët dhe infermierët me thirrjen e sindikatave dhe dhomave profesionale kanë bërë një ndalesë pune njëditore për të protestuar ndaj qeverisë me arsyetimin se ka ndarë pak burime për shëndetësinë në buxhetin e saj të vitit 2025 si dhe për të reaguar për sigurinë e pamjaftueshme të punonjësve të kujdesit shëndetësor në spitale.
Sindikatat deklaruan se shkalla e pjesëmarrjes në grevë në të gjithë vendin është rreth 85 për qind.
Gjatë grevës u garantuan shërbimet për pacientët në situata emergjente, ndërkohë që u theksua se ka rrezik që të shtyhen më shumë se 15 mijë operacione jo urgjente dhe 100 mijë kontrolle.
Për shkak të grevës më shumë se 500 punonjës shëndetësorë mbajtën një tubim në sheshin "Apostoli" në kryeqytetin Romë.
Grupi kërkoi të tregohet më shumë respekt ndaj personelit shëndetësor në spitale dhe mbajtën në duar pankarta me mbishkrimin "Respekt" në gjuhën italiane. Pjesëmarrësit reaguan edhe ndaj pamjaftueshmërisë së burimeve.
Kryeministrja Giorgia Meloni e cila kundërshton kritikat e përfaqësuesve të sektorit shëndetësor dhe opozitës drejtuar qeverisë se ka ndarë më pak burime për shëndetësinë në buxhetin e vitit 2025, mbron idenë se qeveria e saj ka ndarë sasi të paprecedentë burimesh për shërbimet shëndetësore kombëtare.