ECENUR ÇOLAK
ROMË (AA) – Për të zgjedhur 630 përfaqësues në Kuvend dhe 315 anëtarë të Senatit Republikan, të drejtën e votimit do të shfrytëzojnë 51 milionë votues italianë në zgjedhjet e përgjithshme në Itali që do të mbahen të dielën, më 4 mars, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Italinë me 60 milionë banorë, të regjistruar janë 51 milionë votues. 4,3 milionë prej votuesve do ta shfrytëzojnë të drejtën e votës jashtë vendit.
Për zgjedhjen e përfaqësuesve në Kuvend, të drejtë vote kanë shtetasit e Italisë të cilët kanë mbushur 18 vjet, ndërsa për zgjedhjen e anëtarëve të Senatit Republikan, nevojitet që votuesit të kenë mbushur 25 vjet.
Procesi i votimit në gjithsej 20 rajone zgjedhore të Italisë do të fillojë në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orëm 23:00.
Për 630 vendet në Kuvendin e Përfaqësuesve do të garojnë 3.091 kandidatë, kurse për 315 vendet në Senatin Republikan në garë marrin pjesë 1.958 kandidatë. Në zgjedhje garojnë mbi 30 parti. Në procesin zgjedhor spikasin disa aleanca dhe parti.
Në koalicionin aktual në pushtet gjendet Partia Demokratike nën kryesimin e Matteo Renzi, në alenacë me të majtët e moderuar si Partia Liberale Evropiane e Emma Bonino-s, Partia e Bashkimit e Giulio Santagata-s dhe Lista Civile Popullore e Beatrice Lorenzinit.
Në aleancën e së djathtës së moderuar gjendet partia konservatore-liberale Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, partia e së djathtës ekstreme Liga e Matteo Salvinit, partia e së djathtës ekstreme Vëllezërit e Italisë e Giorgia Melonit dhe partia demokristiane "Ne me Italinë" e Raffaele Fitto-s.
Përpos dy aleancave kryesore që do të marrin pjesë në zgjedhje, disa parti do të garojnë të vetme. Kundërshtari më i fuqishëm i aleancave është Lëvizja Pesë Yje nën kryesimin e Luigi Di Maio-s.

Një tjetër parti e rëndësishme që do të marrë pjesë në zgjedhje është edhe Partia Social Demokrate për Liri dhe Barazi që udhëhiqet nga Pietro Grasso.
Sipas anketave të realizuara nga kompanitë hulumtuese si Demor, Euromedia dhe IPR, popullariteti i së majtës së moderuar sillet në 25-27 për qind, ndërsa ai i Lëvizjes Pesë Yje në 26-28 për qind. Sipas anketave të fundit, më afër pushtetit është aleanca e së djathtës së moderuar me 35-38 për qind të votave.
Nëse aleanca e së djathtës së moderuar nuk merr vota më tepër se supozimet e anketave, atëherë gjasat janë që të këtë bisedime për koalicione.
"Fashizmi", agjenda e zgjedhjeve në Itali
Gjatë fushatave zgjedhore, disa çështje kanë kryesuar në agjendë.
Një prej tyre ndodhi më 3 shkurt në qytetin Macerata të Italisë, kur sulmi racist i Luca Traini-t i dha flakë fitilit për “diskutimin e fashizmit”.
Mbrojtja e sulmit nga ana e partive të djathta ekstreme Forza Nuova dhe CasaPound, dhe shpallja e Traini-t si "hero", shkaktoi valë reagimesh nga opinioni italian.
Pika që tërhoqi vëmendje më shumë ishte kur Silvio Berlusconi, lideri i partisë Forza Italia, pjesë e aleancës së majtë të moderuar, lidhur me sulmin verbal racist të liderit të partisë Liga, Salvinit, i cili tha se “prania e emigrantëve të jashtëligjshëm në vend është në një numër të papranueshëm”, kërkoi që të deportohen nga vendi afro 600 mijë emigrantë të jashtëligjshëm.
Nga ana tjetër, shpallja e autorit të sulmit racist, Traini-t, si "hero" nga partitë e djathta ekstreme si “Partia e Vëllezërve të Italisë” me liderë Melonin dhe partitë Forza Nuova dhe CasaPound, tërhoqi kritikat e aleancës së të majtës së moderuar duke thënë se “të huajt nuk janë armiq”.
Sentimenti antiislam dhe antiturk në aleancën e djathtë
Partitë e djathta ekstreme Liga dhe Vëllezërit e Italisë, me kundërshtimin ndaj Islamit, Turqisë dhe emigrantëve, si dhe me fjalorin racist të përdorur gjatë fushatës zgjedhore, kanë shkaktuar valë kritikash ndaj tyre.
“Do të mbyllen të gjitha qendrat islame. Turqia asnjëherë nuk do të mund të hyjë në Evropë, emigrantët do të deportohen”, ka qenë diskursi i partive të djathta ekstreme të cilat janë protestuar shpeshherë gjatë procesit zgjedhor.
Ligj i ri për zgjedhjet
Italia drejt kutive të votimit do të shkojë me ligjin e ri të zgjedhjeve “Rosatellum 2.0” të aprovuar vitin e kaluar.
Me këtë ligj, nga katër për qind që ishte prej vitit 1993, pragu zgjedhor u ul në tre për qind.
Sipas këtij ligji, një e treta e numrit të ulëseve në parlament do të përcaktohet nga shumica, ndërsa dy të tretat nga parimi i përfaqësimit proporcional. Për të mundësuar balansën gjinore, ligji ndalon që nga një parti të ketë mbi 60 për qind nga njëra gjini.
Me ligjin e ri, partitë të cilat para zgjedhjeve bëjnë aleanca dhe marrëveshje koalicioni kanë avantazh në aritmetikën e ulëseve në krahasim me partitë të cilat drejt zgjedhjeve shkojnë të vetme.