Ekip
14 Maj 2019•Përditësim: 15 Maj 2019
Prokurori i Përgjithshëm i Sudanit ka akuzuar ish-presidentin Omar al-Bashir për përfshirje në vrasjen e protestuesve gjatë protestave para se ushtria të rrëzonte atë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të lëshuar dje nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm theksohet se al-Bashir ishte akuzuar në rastin e Dr. Babikir Abdul Hamid, i cili vdiq në muajin janar.
Ndërkohë, Komiteti i Mjekëve të Sudanit bëri të ditur se tetë protestues u plagosën në përleshjet me milicinë e Forcave të Shpejta Mbështetëse (RSF) që mbështetnin ushtrinë sudaneze.
Grupi i mjekëve konfirmoi plagosjet që kanë ndodhur gjatë një përpjekje të ushtrisë dhe RSF-së për të thyer protestën para selisë së ushtrisë sudaneze.
Rreth zonës së njëjtë përleshjet vazhdojnë të ndodhin, pasi protestuesit pas largimit të ish-presidentit al-Bashir vazhdojnë të protestojnë para selisë së ushtrisë duke kërkuar dorëzimin e pushtetit nga këshilli ushtarak një autoriteti civil.
“Ushtria dhe RSF na sulmuan dhe përdorën dhunë për të thyer barikadat rreth zonës, duke përfshirë urën Kober, Nilin e Kaltër dhe rreth Universitetit Khartoum”, tha një protestues për AA.
Ndërkohë, persona të paidentifikuar dje sulmuan kampin kryesor të protestës pranë selisë ushtarake, duke lënë të vrarë gjashtë persona, përfshirë pesë protestues.
Disa orë pas incidentit, protestuesit sudaneze bllokuan rrugët kryesore në Khartoum, si dhe u vunë zjarr gomave, duke vështirësuar trafikun në kryeqytetin sudanez.
Më 11 prill, ushtria sudaneze njoftoi “largimin” e al-Bashir pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Këshilli i Përkohshëm Ushtarak (MTC) mbikëqyr një “periudhë dyvjeçare kalimtare”, gjatë së cilës është zotuar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira presidenciale.
Por, opozita e udhëhequr nga aleanca për “Liri dhe Ndryshim” në vazhdimësi ka kërkuar që MTC ta dorëzojë pushtetin tek një autoritet civil.
Dje, MTC tha se ka arritur një marrëveshje me aleancën opozitare mbi “strukturat e qeverisjes dhe autoritetin kalimtar”.