Shpetim Hiseni
12 korrik 2026•Përditësim: 12 korrik 2026
Irani ka kryer gjatë orëve të para të së dielës një seri sulmesh hakmarrëse me raketa balistike dhe dronë ndaj aseteve ushtarake amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme, pasi SHBA-ja kreu raundin e tretë të sulmeve ndaj objektivave ushtarake në jug të Iranit, transmeton Anadolu.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi se ka goditur bazën ajrore amerikane Prince Hassan në Jordani, bazën Al Udeid në Katar, si dhe objektiva ushtarake amerikane në Kuvajt dhe qendra logjistike në Portin e Duqmit në Oman. IRGC-ja pretendoi gjithashtu se ka goditur një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot në Kuvajt.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore interceptuan raketa dhe dronë iranianë, duke sqaruar se shpërthimet e dëgjuara në vend ishin rezultat i ndërhyrjes së mbrojtjes ajrore.
Në Katar, Ministria e Mbrojtjes tha se Forcat e Armatosura interceptuan me sukses një sulm raketor ndaj vendit, ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga mbeturinat e raketave të rrëzuara gjatë operacioneve të ndërhyrjes. Ministria shtoi se niveli i kërcënimit është eliminuar dhe situata është rikthyer në normalitet.
Në Jordani, një burim zyrtar i Forcave të Armatosura Jordaneze, i cituar nga agjencia shtetërore Petra, tha se tri raketa iraniane ranë në territorin jordanez pa shkaktuar viktima, ndërsa dëmet u kufizuan në humbje të vogla materiale.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë ndërhyrë ndaj objektivave armiqësore në hapësirën ajrore të vendit, duke theksuar se shpërthimet e dëgjuara ishin pasojë e operacioneve të interceptimit. Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Bahrejnit aktivizoi sirenat e alarmit ajror dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të drejtohen në vendet më të afërta të sigurta.
Përshkallëzimi vjen pasi SHBA-ja kreu raundin e tretë të sulmeve ndaj objekteve të radarëve, raketave dhe dronëve në jug të Iranit, pas incidenteve në Ngushticën e Hormuzit, ku sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), forcat iraniane kanë hapur zjarr ndaj anijeve tregtare.