Ahmet Dursun
07 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Me urdhër të liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, parlamenti i Iranit ka rritur me 200 milionë euro buxhetin e forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare pas vrasjes së komandantit të kësaj force Qasem Soleimani në një sulm amerikan javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rritja e buxhetit është bërë nga Fondi Zhvillimor Kombëtar dhe vlen deri në fund të këtij viti sipas kalendarit të përdorur nga Irani (20 mars), ka thënë kryetari i parlamentit Ali Larijani, raportoi Agjencia Studentore Iraniane e Lajmeve (ISNA).
Larijani tha se vendimi është marrë me urdhër të liderit suprem Khamenei.
Ndryshe, Soleimani u vra më 3 janar nga një sulm ajror i SHBA-së në Bagdad së bashku me nëntë persona të tjerë.
Forca Kuds zhvillon operacionet e jashtme ushtarake dhe të inteligjencës të Gardës Revolucionare dhe njihet si një nga organizatat më të fuqishme të inteligjencës në rajon. Ajo është e lidhur drejtpërdrejt me liderin iranian Khamenei.
Në deklaratën e tij pas ngjarjes, Khamenei tha se puna që kishte bërë Soleimani nuk do të ndalet edhe me vdekjen e tij dhe paralajmëroi "urrejtje të hidhur".
Në Iran u shpall tri ditë zie, ndërsa në vend të Soleimanit u emërua zëvendësi i tij Ismail Qaani.