Ekip
30 korrik 2022•Përditësim: 31 korrik 2022
Mbështetësit e klerikut shiit Moqtada al-Sadr bastisën ndërtesën e parlamentit irakian në Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit sot për herë të dytë brenda një jave, ndërsa po protestonin kundër emërimit të një kryeministri të ri nga partitë shiite të afërta me Iranin, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria irakiane e Shëndetësisë tha se 60 protestues u plagosën në përleshjet me forcat e sigurisë gjatë protestave.
Kryeministri Moustafa al-Kazimi urdhëroi forcat e sigurisë të mbrojnë demonstruesit, duke u bërë thirrje atyre që t’i përmbahen parimit të qetësisë të lëvizjes së tyre dhe të respektojnë direktivat e forcave të sigurisë.
“Vazhdimi i përshkallëzimit politik rrit tensionin në rrugë dhe nuk u shërben interesave publike”, tha al-Kazimi në një deklaratë.
Ai theksoi se “forcat e sigurisë duhet, me të gjitha mjetet ligjore, të mbrojnë institucionet zyrtare”.
Më herët gjatë ditës, demonstruesit nga lëvizja Sadriste u drejtuan për në Zonën e Gjelbër.
Ata arritën të depërtojnë në ndërtesat partiake të Lëvizjes Kombëtare të Urtësisë së kryesuar nga Ammar al-Hakim, një nga udhëheqësit politikë dhe fetarë shiitë.
Për shkak të mosmarrëveshjeve politike, qeveria e re nuk është formuar që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 10 tetor 2021.
Më 25 korrik, aleanca “Korniza e Koordinimit” zgjodhi 52-vjeçarin Mohammed Shia' al-Sudani si kandidat për të kryesuar qeverinë e ardhshme, në një hap të ri drejt përfundimit të krizës që vazhdon prej më shumë se tetë muajsh. .
Qëndrimet në lidhje me kandidaturën e al-Sudanit u ndanë midis mbështetësve dhe kundërshtarëve, teksa lëvizja protestuese dhe lëvizja shiite Sadriste kërkojnë emërimin e një figure pa asnjë histori qeveritare.