Alma Çekovic
26 Dhjetor 2016•Përditësim: 26 Dhjetor 2016
BANDA ACEH (AA) – Banorët e Indonezisë të hënën shënojnë 12-vjetorin e cunamit fatal të shkaktuar nga tërmeti me fuqi prej 9.1 ballë sipas shkallës së Rihterit, jo shumë larg ishullit indonezian Sumatra, i cili shkaktoi vdekjen e 230.000 personave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për katastrofën më të madhe natyrore të ndodhur ndonjëherë në historinë moderne të njerëzimit, e cila njëkohësisht ka goditur disa vende.
Cunami në fjalë shkatërroi bregdetin duke shkaktuar dëme nga Indonezia, përmes Tajlandës, Sri Lankës dhe Indisë e deri në Somali, në Afrikë.
Anëtarë të familjeve dhe miqtë e viktimave vizituan të hënën vendin i cili konsiderohet si varrezë e përbashkët e të vdekurve në cunamin në qytetin Banda Aceh, në provincën Aceh, duke bërë lutje për të vdekurit.
Në rajonin me popullsi të dendur Aceh, në veri të ishullit, dallgët kanë zhdukur gjithçka që kanë hasur në rrugë. Vetëm në Indonezi, kanë humbur jetën mes 130 dhe 160 mijë persona, prej të cilëve një e treta fëmijë, ndërsa 500.000 persona mbetën pa shtëpi.
Është konfirmuar vdekja e 190.000 persona, ndërsa dhjetëra mijëra janë shpallur të zhdukur. Indonezia gjendet në të ashtuquajturën Unazën e Zjarrtë të Paqësorit e cila karakterizohet me tërmete dhe vullkane të shpeshta.