Burak Bir
06 Maj 2020•Përditësim: 07 Maj 2020
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite të martën njoftoi se rebelët Huthi të Jemenit lançuan dy raketa balistike nga kryeqyteti Sana, të cilat ranë në qytetet Amran dhe Sadah, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sulmet janë shkelje e vazhdueshme e armëpushimit dhe de-eskalimit që u iniciua nga koalicioni, agjencia saudite e shtypit citon të ketë thënë zëdhënësi i koalicionit Turki al-Maliki.
Maliki tha se Huthit kanë shkelur armëpushimin mbi 2.400 herë duke përdorur armë të lehta dhe të rënda si dhe raketa balistike.
Më 8 prill, forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite shpallën një armëpushim dy-javor në Jemen në mes të shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19) ndërsa më 24 prill njoftuan vazhdimin e tij një-mujor.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Saba, një delegacion i zyrtarëve të Huthive diskutoi për krizën në vazhdim në vend me ambasadorët jemenas të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmes video-konferencës.
Jemeni është shkatërruar nga një konflikt që u përshkallëzua në mars të vitit 2015 pasi rebelët Huthi të mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin Sanaa dhe detyruan presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të ikte nga vendi.
Sipas OKB-së, konflikti 5 vjeçar ka lënë mijëra civilë të vdekur dhe afër 3.7 milionë të zhvendosur brenda vendit.