Eshat Fırat
11 Prill 2017•Përditësim: 11 Prill 2017
NABLUS (AA) - Në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor të okupuar, hebrenjtë samaritanë (Samiri) që jetojnë përreth Malit Gerizim i cili sipas besimit të tyre llogaritet i shenjtë, kanë nisur festimet me rastin e Festës së Pashkëve Hebraike (Pesah) duke prerë kurbanë (sakrifica), raporton Anadolu Agency (AA).
Hebrenjtë samaritanë, që janë një nga bashkësitë misterioze të Lindjes së Mesme, kanë përkujtuar largimin e Bijve të Izraelit nga Egjipti përmes liturgjive fetare që nisin nga lindja e diellit me leximin e njëzëshëm të verseteve të Tevratit (Toras) dhe prerjen e kurbaneve në perëndimin e diellit në shenjë sakrifice.
Rabini Husnu es-Samiri, një nga prijësit fetarë të samaritanëve të cilët llogariten si komuniteti më i vogël fetar në botë, në një deklaratë për AA tha se "I dedikuam kurbane (sakrifica) Zotit me rastin e shpëtimit të Bijve të Izraelit nga tirania e faraonit dhe festës Pesah".
Duke pohuar se samaritanët janë Bijtë e vërtetë të Izraelit, rabini es-Samiri u shpreh se "Ne ecim në gjurmët e Musait (Mojsiut). Festojmë Pashkët dhe, për ta përkujtuar endjen e Bijve të Izraelit në Sina për 40 vite, në fund të ditës hamë një bimë të hidhur".
Samaritanët presin kurbanët e tyre ndryshe nga hebrenjtë e tjerë, ndërsa kurbanët e prerë i djegin në puse ku ndizet zjarr pa flakë. Në afërsi të Malit Gerizim, të cilin e llogarisin të shenjtë, festojnë festën e tyre me feste tradicionale të kuqe të cilat i vendosin në kokë dhe rroba të gjata të bardha.
Megjithëse hebrenjtë e tjerë nuk presin kurbanë gjatë festës së Pashkëve Hebraike, samaritanët presin festën duke bërë prerjen e tyre, ndërkohë që javën e ardhshme, do t'i japin fund festës ende pa lindur dielli duke hipur në Malin Gerizim
Kush janë hebrenjtë samaritanë?
Samaritanët, të cilët pranojnë vetëm pesë libra të Tevratit (Zanafilla, Eksodi, Levitiku, Numrat, Ligji i Përtërirë), nuk llogarisin Jerusalemin si qytet të shenjtë, por qytetin palestinez Nablus, në të cilin ndodhet Mali Gerizim.
Shkëmbi prej ku sipas muslimanëve Profeti Muhamed u ngrit në Miraxh dhe "iu hapën dyert e qiellit" e që ndodhet brenda Kubbetu's Sahrasë (Kupola e Shkëmbit) që gjendet në Mesxhidi Aksa, sipas samaritanëve gjendet mbi Malin Gerizim.
Samaritanët besojnë se posedojnë Tevratin origjinal të shkruar në lëkurë gazeleje të vjetër 3.600 vite.
Ata besojnë se hebrenjtë kanë falsifikuar Tevratin, ndërsa pranojnë se janë nipërit e Profetit Jusuf, njëri nga 12 bijtë e Jakubit.
Forma e riteve të tyre fetare (Ibadet) i ngjan atyre të muslimanëve. Në jetën e përditshme ata flasin gjuhën arabe, teksa në ritualet e tyre përdorin hebraishten. Po ashtu, si pjesë e riteve të tyre është edhe rukuja (përkulja) dhe sexhdeja (përkulja me ballin në tokë).
Samaritanët, popullsia e të cilëve numëron vetëm 800 dhe të cilët jetojnë në Nablus dhe në qytetin Holon në afërsi të kryeqytetit izraelit, Tel Aviv, ashtu sikurse në festat e Pashkëve Hebraike dhe Korrjes, edhe në festën Sukot kryejnë pelegrinazh duke u ngjitur në Malin Gerizim.