Halep, babë e bijë riparojnë qilimat shekullorë të dëmtuar nga lufta
"Halepi ka përjetuar shumë dhimbje dhe kriza. Duke i riparuar këto qilima, lë gjurmë pozitive në mendjet dhe zemrat e njerëzve, sikur t’ua shëroj plagët”, tha Mejsem Ravvas, 17-vjeçe, e cila studion artin
Muhammed Karabacak
17 tetor 2026•Përditësim: 17 tetor 2026
photo: Bakr Al Kasem / AA
Halep
Mjeshtri i qilimave Omer Ravvas dhe vajza e tij 17-vjeçare, Meysem, po riparojnë fije pas fijeje qilimat dhe tekstilet shekullore të dëmtuara nga lufta dhe kalimi i viteve, duke ruajtur trashëgiminë kulturore për brezat e ardhshëm, raporton Anadolu.
Arti tradicional i endjes me dorë dhe riparimit të qilimave, i trashëguar prej shekujsh në Halep, vazhdon t’u rezistojë shkatërrimeve të luftës dhe kalimit të kohës.
Pas vitesh konfliktesh, banorët e Halepit që janë kthyer në shtëpitë e tyre ose kanë ardhur nga jashtë vendit, i drejtohen familjes Revvas për të restauruar qilimat shekullorë të trashëguar nga familjet e tyre.
“Duke riparuar çdo fije, shëroj plagët e njerëzve”
Meysem Ravvas, 17-vjeçe, e cila studion artin, tha për Anadolu se është e vetmja mjeshtre grua në familjen e saj që po vazhdon profesionin e trashëguar nga babai.
Ajo tregoi se pasioni për këtë zanat e çoi në punëtori, ku nisi punën duke restauruar një qilim mëndafshi të tipit “Aubusson”, 120-vjeçar. “Duke riparuar çdo fije, shëroj plagët e njerëzve”, tha ajo.
"Halepi ka përjetuar shumë dhimbje dhe kriza"
Meysem tha se nuk mjaftohet vetëm me riparimin e qilimave, por përpiqet të lërë gjurmë të përhershme te pronarët e tyre.
“Halepi ka përjetuar shumë dhimbje dhe kriza. Duke i riparuar këto qilima, lë gjurmë pozitive në mendjet dhe zemrat e njerëzve, sikur t’ua shëroj plagët. Njerëzit kanë kujtime të lidhura me këta qilima dhe në çdo fije fshihet një kujtim”, tha ajo.
Ajo theksoi se, në një kohë kur të rinjtë po i drejtohen teknologjisë, ka zgjedhur të ruajë historinë dhe kulturën e qytetit të saj. Ëndrra e saj është t’ua mësojë këtë art brezave të rinj në nivel akademik dhe të parandalojë zhdukjen e tij.
“Kur jam në punëtori ose end qilima, dashurohem me këtë zanat”
Omer Ravvas, 51-vjeç, i cili ka 42 vjet që merret me këtë profesion, tha se riparimi i qilimave është një traditë familjare dhe se, pavarësisht vështirësive, nuk ka hequr dorë kurrë nga ky art.
Ai tregoi se e përfshiu vajzën në punëtori pasi vuri re pasionin e saj për artin dhe endjen. Sipas tij, në duart e tyre kanë kaluar qilima historikë 150 deri në 170 vjeçarë.
“Kur jam në punëtori ose end qilima, dashurohem me këtë zanat. Ndihem i lumtur. Ata që punojnë me traditën, artin dhe kulturën duhet ta duan profesionin e tyre”, tha ai.
“Njerëzit që kthehen në shtëpitë e shkatërruara kujtojnë të kaluarën përmes qilimave të riparuar”
Ravvas tha se ata u japin jetë sërish qilimave të dëmtuar nga lufta ose nga kushtet e papërshtatshme të ruajtjes.
“Kur riparojmë dhe u japim jetë sërish qilimave të shkatërruar gjatë luftës, ndiejmë se po rikthehen në jetë edhe njerëzimi dhe ndërtesat prej guri”, u shpreh ai.
Ravvas theksoi se kanë klientë që vijnë nga vende si Zvicra dhe SHBA-ja për t’u sjellë qilimat historikë që kanë në shtëpitë e tyre.
“Na gëzon shumë fakti që mund t’ua ringjallim kujtimet. Njerëzit që kthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara i kujtojnë kujtimet e së kaluarës përmes qilimave që u kemi riparuar”, përfundoi ai.
Halep, babë e bijë riparojnë qilimat shekullorë të dëmtuar nga lufta