İlayda Çakırtekin
26 gusht 2026•Përditësim: 26 gusht 2026
Grupi pro-rus i hakerëve "Server Killers" njoftoi në Telegram se i ka shpallur luftë kibernetike Norvegjisë, raportoi transmetuesi norvegjez TV2 të mërkurën, transmeton Anadolu.
“Arsyeja e sulmit: Më 23 gusht, Norvegjia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje të re për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me fokus në marrëveshjen e dronënve, në të cilën Norvegjia vazhdon të forcojë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës përmes programit Nansen”, thekson grupi në deklaratën e tij.
"Server Killers" e përshkruan veten si një grup hakerësh pro-rus që ka qenë aktiv që nga viti 2023. Grupi mori më parë përgjegjësinë për disa sulme të ngjashme kibernetike në gusht.
Kanali i tij Telegram përmban gjithashtu disa referenca për një grup tjetër hakerash, NoName057(16), sipas TV2. Grupi NoName ka marrë më parë përgjegjësinë për një numër sulmesh kibernetike kundër objektivave norvegjeze dhe ka njoftuar aktivitetet e tij në Telegram.
Njoftimi erdhi pasi disa shërbime publike në Norvegji janë shënjestruar nga sulmet kibernetike që nga e hëna. Një sulm kundër Agjencisë Norvegjeze të Digjitalizimit (Digdir) hyri në ditën e tretë të mërkurën.
“Ne jemi ende duke punuar për të kufizuar pasojat e sulmit në vazhdim”, tha për TV2, zyrtari i shtypit i Digdir, Are Kvistad.
Kvistad vuri në dukje se shumica dërrmuese e banorëve dhe bizneseve nuk po përjetonin ndërprerje të konsiderueshme operacionale.
“Me fjalë të tjera, asnjë zgjidhje kritike sociale nuk preket,” tha ai.