Yusuf Özcan
16 Dhjetor 2019•Përditësim: 17 Dhjetor 2019
Grevat e nisura në Francë kundër reformës së pensioneve të qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, vazhdojnë edhe në ditën e 12-të, raporton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të grevave në kryeqytetin Paris dhe në qytetet tjera ka ndërprerje serioze në shërbimet e shëndetësisë, shërbimeve publike si dhe në transport.
Në kryeqytet sot ishin të mbyllur 8 linja të metrosë dhe afër 20 stacione të metrosë, ndërsa linjat tjera shërbejnë në orë të caktuara në disa linja. 61 për qind të makinistëve të Kompanisë Kombëtare Hekurudhore të Francës (SNCF) sot ishin në grevë.
Gjithashtu edhe provimet në shumë universitete të vendit të planifikuar për sot u shtynë për një datë tjetër.
Ndërkohë, ministri i Ekonomisë i Francës, Bruno Le Maire, në një deklaratë tha se do të jepet mbështetje financiare ndaj bizneseve të ndikuar negativisht nga grevat.
SNCF humb 20 milionë euro në ditë
Drejtori i SNCF, Alain Krakovitch, në deklaratën për shtyp, njoftoi se grevat i shkaktojnë SNCF-së një humbje prej 20 milionë dollarësh në ditë.
Edhe nesër priten probleme serioze në transportet publike dhe linjat e trenit në vend.
Thuhet se grevat në vend mund të vazhdojnë deri në pushimet e Krishtlindjes dhe Vitit të ri.
Dje në Paris përveç dy linjave të metrosë të gjitha linjat nuk dhanë shërbime.
Reagime ndaj reformës së pensioneve
Pas protestave të jelekëve të verdhë, më 5 dhjetor në Francë punonjësit e shumë sektorëve filluan grevë të përgjithshme pa afat në të gjithë vendin, me qëllim për të reaguar kundër reformës së pensioneve të përgatitur nga qeveria e presidentit Macron.
Në ditën e parë të grevave, 800.000 persona kishin vërshuar nëpër rrugë.
Reforma në fjalë parashikon ndarje në pensionet për punëtorët dhe punonjësit e sektorit publik, rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, si dhe ndikim negativ ndaj shumë sektorëve të tjerë.
Në mesin e pjesëmarrësve në grevë janë punonjësit e RATP (Rregullatorët e transportit publik) në Paris dhe përreth tij, SNCF, punonjësit e kompanisë ajrore Air France, policët, mjekët, infermierët, punonjësit e spitaleve, studentët, punonjësit e postave, punonjësit e sektorit publik, avokatët, punonjësit e bujqësisë, ekipet e shëndetësisë për ambulancat, drejtuesit e taksive, mësuesit, punonjësit e kompanisë shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike EDF, shoferët e transportit, punonjësit e urgjencës në spitale, punonjësit e kompanisë Renault dhe punonjësit e rafinerisë.