Derya Gülnaz Özcan
22 Shkurt 2022•Përditësim: 22 Shkurt 2022
Greqia njoftoi se vendimi i Rusisë për të njohur zyrtarisht të ashtuquajturat administrata të separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore shkel parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, integritetin territorial të Ukrainës dhe Marrëveshjen e Minskut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke thuhet se Greqia është në favor të respektimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së të gjitha vendeve dhe dënon të gjitha vendimet që cenojnë këto parime të së drejtës ndërkombëtare.
Duke theksuar se Greqia do të konsultohet me Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n për të reaguar ndaj këtij vendimi, në deklaratë thuhet: "Njohja e Rusisë e deklaratës së paligjshme dhe të njëanshme të 'pavarësisë' të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, shkel parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, integritetin territorial të Ukrainës dhe është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Minskut".