Gratë rrezikojnë të “mbeten prapa” teksa inteligjenca artificiale përparon
Raporti tregoi se rolet e përcaktuara si “të dominuara nga gratë,” si administrata, kontabiliteti, puna si arkëtare dhe stafi zyrtar, janë më të cenueshme ndaj humbjes së punës si rezultat i automatizimit
Londër
Gratë po përballen me një rrezik disproporcional të humbjes së vendit të punës nga inteligjenca artificiale dhe kanë 20 për qind më pak gjasa se burrat të angazhohen me mjetet gjenerative të inteligjencës artificiale, transmeton Anadolu.
Siç raporton gazeta ‘Independent’, gratë po paralajmërohen se mund të “mbeten prapa” nga përparimet teknologjike pasi një studim zbuloi se ato kanë dyfish më shumë gjasa të mbajnë vende pune të rrezikuara nga inteligjenca artificiale.
Raporti tregoi se rolet e përcaktuara si “të dominuara nga gratë,” si administrata, kontabiliteti, puna si arkëtare dhe stafi zyrtar, janë më të cenueshme ndaj humbjes së punës si rezultat i automatizimit.
Studimi gjithashtu zbuloi se gratë kanë 20 për qind më pak gjasa të angazhohen me mjete gjenerative të inteligjencës artificiale në krahasim me burrat, gjë që i bën më pak të predispozuara të punojnë në role që varen nga inteligjenca artificiale.
Sipas raportit të fundit mbi hendekun gjinor në inteligjencën artificiale nga firma konsulente Credera, vetëm 22 për qind e njerëzve në grupin global të talenteve në inteligjencën artificiale janë gra.
‘Supermums’, një ndërmarrje sociale e dedikuar për të ndihmuar gratë të hyjnë në fushën e teknologjisë, sipas raportit, tani po paralajmëron se këto gjetje tregojnë "një rrezik real që gratë të mbeten prapa" ndërsa teknologjia përparon.
Heather Black, themeluese e ‘Supermums’, tha se nënat në veçanti përballen me "të qenit ato që paguajnë çmimin në rritjen e inteligjencës artificiale".
"Në thelb, gratë, dhe veçanërisht nënat, do të jenë ato që do të paguajnë çmimin në rritjen e inteligjencës artificiale", tha Black.
Sipas saj, inteligjenca artificiale është këtu për të qëndruar, pavarësisht nëse e përdorim personalisht apo jo, kështu që “të mësosh se si funksionon dhe si ta shfrytëzosh sa më shumë është thelbësore".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
