Është pranverë në Etiopi dhe kryeqyteti Addis Ababa po shijon mëngjesin e ndritshëm me diell. Por një vilë e rrethuar me gardh, që strehon gratë që kanë pësuar abuzim në familje, pas mureve të saj fsheh shumë histori të errëta.
Një nga banoret e qendrës së rehabilitimit të drejtuar nga një organizatë bamirëse lokale Agar është edhe 34-vjeçarja Aregash Belay, e cila lindi në një familje të varfër në Etiopinë veriore dhe u abuzua seksualisht së pari nga një fqinj dhe më pas nga një roje burgu në Libi, ku ajo udhëtoi për të punuar si shërbëtore shtëpiake.
Gratë në vendin e Bririt së Afrikës mbeten mjaft të pafavorshme për shkak të niveleve të ulta të shkrim-leximit dhe martesave të hershme. Sipas një studimi kombëtar, 35 për qind e grave të martuara kanë pësuar dhunë seksuale ose emocionale nga bashkëshortët e tyre.
Kur Belay pranon të rrëfejë për Anadolu Agency (AA) përvojën e saj, ajo ndalet, i mbyll sytë e saj duke i mbërthyer dhe i nevojitet kohë për t’i shprehur fjalët e saj.
"Për vite me radhë u sulmova fizikisht dhe seksualisht nga një burrë i cili ishte shumë i afërt me familjen tonë. Nuk mund ta raportoja dhunën në familjen time, sepse do të më fajësonin mua, ndërkohë që dhuna seksuale ishte shumë e qartë”, thotë Belay.
Për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë, Belay në vitin 2015 në mënyrë legale udhëtoi në Libi, ku punoi si shërbëtore shtëpiake në një familje. Familja me të cilët ajo punoi refuzoi të rinovojë kontratën e saj, konfiskoi dokumentet e saj të udhëtimit dhe e hodhi atë në rrugë që të rezistojë e vetme. Ajo u arrestua nga një militant dhe u trajtua si migrant pa dokumente.
Belay prezanton një djalë 2-vjeçar si djalin e saj që e lindi në Tripoli.
“Më çuan në burg. Më rrahën vazhdimisht, u dhunova nga një roje burgu dhe mbeta shtatzënë. Nuk mund të ndodh që djali im ta njoh babanë e tij”, tha Belay.
Belay është një nga shumë punëtorë vendas që u riatdhesuan nga Libia me ndihmën e Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM).
- Shërimi i plagëve të vjetra
Helen Zegeye, menaxhere e organizatës Agar, për AA njoftoi se organizata e bamirësisë aktualisht ndihmon 120 viktima të abuzimit fizik dhe seksual në qendrat e saj në kryeqytetin Addis Ababa dhe në qytetin Bahir Dar në veri të vendit.
“Këtu në kryeqytet ndihmojmë viktimat e përdhunimit. Pothuajse të gjitha gratë këtu vuajnë nga problemi i shëndetit mendor. Ata u traumatizuan, sepse u dhunuan nga njerëz shumë të afërt të tyre”, shprehet Zegeye.
Ajo vuri në dukje se viktimat u trajtuan në Amanuel, një spital i shëndetit mendor në Addis Ababa, ndërsa organizata Agar u siguron atyre strehim, këshillim dhe ndihmë financiare.
“Është një proces i gjatë dhe në shumicën e rasteve ata që shërohen nuk duan të kthehen tek familjet e tyre. Ata nuk dinë çka të bëjnë dhe ku të shkojnë”, thotë Zegeye.
Në Bahir Dar, organizata e bamirësisë aktualisht strehon 80 viktima të dhunës gjinore.
“Ata mbartin me vete një shenjë dalluese të sulmit brutal nga partnerët e tyre. Disa prej tyre kanë çështje gjyqësore, por shumica nuk do t’i kthehen martesës ose ndonjë lloji të marrëdhënies”, thekson Zegeye.
34-vjeçarja Addise Chane është njëra nga ato. Ajo për AA thotë se pësoi dhunë të vazhdueshme në familje nga ish-bashkëshorti i saj që rezultoi me divorc.
“Ish-bashkëshorti im u largua nga unë, pa një proces ligjor dhe më largoi nga djali im i vetëm. Unë jam larguar nga komuniteti dhe familja ime një herë e përgjithmonë”, shprehet Chane.
- Cikli i abuzimit
Kombi i Bririt të Afrikës ka një popullsi prej 102 milionë banorëve, gjysma e të cilëve janë gra.
Sipas UN Women (Entitetit i OKB-së për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave), gratë dhe vajzat janë shumë të pafuqishme në krahasim me djemtë në disa fusha, përfshirë arsimin, shëndetin, jetesën dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ekzistojnë edhe praktika tradicionale që me shekuj kanë ndikuar në mënyrë negative në shëndetin e grave, të tilla si gjymtimi i organeve gjenitale të grave dhe martesa e hershme.
Sosna Tsegaye, një eksperte për drejtat gjinore, për AA thekson se në shumë studime është provuar se gratë e reja që udhëtojnë në mënyrë ilegale në Libi, Jemen dhe në vendet e Gjirit, i nënshtrohen përdhunimit dhe dhunës fizike.
“Përderisa disa gra të reja kthehen në shtëpi të traumatizuara, të tjerat kalojnë kufijtë për t’i shpëtuar varfërisë dhe papunësisë. Është një cikël”, thotë Tsegaye.
Ajo thekson se qeveria etiopiane kohët e fundit ka miratuar politika për të promovuar fuqizimin e grave.
“Ne tani kemi një sistem juridik që siguron mbrojtje dhe gjykata speciale që janë të autorizuara të japin një gjykim të shpejtë. Problemi është se familjet nuk kërkojnë mjete juridike dhe i detyrojnë gratë të tolerojnë abuzimet e bashkëshortëve”, shpjegon Tsegaye.
Etiopia ka një presidente grua dhe gratë përbëjnë 50 për qind të 22 anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Abiy Ahmed, të cilit së fundmi iu dha Çmimi Nobel për Paqen, duke iu dhënë shpresë mijërave që janë bllokuar në këtë cikël abuzimesh.