03 Maj 2022•Përditësim: 03 Maj 2022
Gjykata e lartë gjermane njoftoi sot se ka refuzuar apelin e një ish-anëtari të policisë sekrete të Sirisë, i cili u dënua vitin e kaluar për shkak se ka ndihmuar në torturimin e të burgosurve në vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një vendim historik, gjykata në qytetin e Koblenz-it e kishte dënuar Eyad Al-Gharib për ndihmë në krime kundër njerëzimit dhe e dënoi atë me 4 vjet e gjysmë burg. Vendimi, i cili ishte hera e parë që një gjykatë jashtë Sirisë vendosi në një rast që pretendon se zyrtarët e regjimit sirian kanë kryer krime kundër njerëzimit, u mirëprit nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe viktimat e represionit të presidentit të regjimit sirian Bashar al-Assad.
Al-Gharib, 45-vjeç, kishte apeluar dënimin, duke potencuar se dëshmia e tij para hetuesve gjermanë kishte dhënë prova të rëndësishme për dënimin e mëvonshëm të një ish-zyrtari tjetër më të lartë sirian.
Gjykata Federale e Drejtësisë tha se nuk kishte gjetur gabime ligjore në vendimin ose dënimin e vendosur nga gjykata e Koblenz-it, që do të thotë se vendimi tani nuk mund të kundërshtohet.