Ayhan Şimşek
02 Korrik 2020•Përditësim: 03 Korrik 2020
Kryediplomati gjerman Heiko Maas tha se Gjermania dhe Turqia do të vazhdojnë bisedimet e tyre mbi turizmin dhe kushtet për heqjen e kufizimeve të udhëtimit që ndërlidhen me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij turk Mevlüt Çavuşoğlu në Berlin, Maas tha se Turqia dha sot informacion të detajuar në lidhje me masat e saj për parandalimin e COVID-19 dhe programin e turizmit të sigurt, i cili do të rishikohet nga autoritetet përkatëse gjermane dhe evropiane.
"Në dy javët e ardhshme, ne do të kemi diskutime brenda BE-së dhe do të rishikojmë listën e vendeve pozitive", tha ai, duke iu referuar vendeve të cilat u klasifikuan nga BE si vende të sigurta për udhëtime.
"Por, unë nuk mund ta paragjykoj rezultatin e vlerësimit tonë", shtoi Maas.
Të martën, anëtarët e BE-së vendosën të heqin kufizimet e udhëtimit fillimisht për 15 vende, përfshirë Kanadanë, Algjerinë, Tunizinë, Serbinë, Ruandën, Korenë e Jugut dhe Tajlandën, pas një debati të gjatë midis vendeve anëtare.
Vendimi i BE shkaktoi kritika nga Ankaraja zyrtare, me ç'rast zyrtarët turq theksuan se vendi i tyre, i cili ka menaxhuar me sukses procesin e pandemisë, duhet të ishte përfshirë në listë.
I pyetur nëse Gjermania do të heqë paralajmërimin e saj kombëtar të udhëtimit për Turqinë, Maas tha se Berlini duhet të koordinojë çdo vendim për heqjen e kufizimeve të udhëtimit me vendet e tjera anëtare të BE-së.
Muajin e kaluar, qeveria e kancelares Angela Merkel vendosi të heqë paralajmërimin e saj global të udhëtimit vetëm për vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Shengenit (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra), por e zgjati paralajmërimin për të gjitha vendet e tjera deri në fund të gushtit.
Turqia është një nga destinacionet më të njohura turistike për turistët gjermanë. Gati 5 milionë turistë gjermanë udhëtuan për në Turqi vitin e kaluar.