Cüneyt Karadağ
02 Prill 2019•Përditësim: 02 Prill 2019
Nga viti 2015 e deri në vitin e kaluar, Gjermania ka shënuar rritje me 70 për qind të personave që kanë denoncuar raste të diskriminimit, njoftoi një zyrtar gjerman, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, Bernhard Franke, ushtruesi i detyrës së kreut të Departamentit Kundër Diskriminimit, tha se vitin e kaluar, 3.455 denoncime janë pranuar nga persona të cilët kanë njoftuar të kenë qenë viktima të diskriminimit në baza të ndryshme, si etnike, gjinore dhe fetare.
Franke rikujtoi se që nga viti 2006 zbatohet Ligji për Trajtim të Barabartë (AGG), por tha se është e pamundur të jepet numër i sakt i rasteve të diskriminimit, pasi, sipas tij, ka persona që nuk lajmërojnë autoritetet.
Ai tha se në vitin 2015 janë pranuar 2.035 denoncime, 2.625 në vitin 2016, 2.995 në vitin 2017 dhe 3.455 denoncime në vitin 2018, dhe se shifra e vitit të kaluar paraqet rritje prej 70 për qind për dallim nga tre vjet më parë.
Franke njoftoi se 31 për qind e denoncimeve kanë qenë raste të diskriminimit në baza etnike dhe racore, 29 për qind në baza gjinore, 14 për qind në baza të moshës dhe shtatë për qind në baza fetare.
Ai po ashtu tha se 79 raste të diskriminimit të vitit të kaluar janë transferuar në gjykatë.
Franke theksoi se futbollisti turk i kombëtares gjermane të futbollit, Mezut Özil, është përballur me "racizëm dhe mungesë respekti" dhe shtoi se pas largimit të tij nga ekipi kombëtar, shumë migrantë në vend kanë postuar në rrjetet sociale me etiketën #MeToo".