Cüneyt Karadağ
19 Shtator 2023•Përditësim: 19 Shtator 2023
Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë ndaloi aktivitetet e grupit racist neo-nazist të quajtur "Hammerskins Germany", transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhet se grupi i ekstremit të djathtë "Hammerskins" dhe grupi mbështetës i saj i quajtur "Crew 38" u ndaluan me arsyetimin se ishin kundër rendit kushtetues.
Theksohet se pas vendimit të ndalimit, në orët e para të mëngjesit u bastisën 28 banesa dhe rezidenca në 10 shtete dhe u sekuestruan pasuritë e grupit.
Në deklaratën e saj në lidhje me ndalimin, ministrja e Brendshme, Nancy Faeser tha: "Ndalimi është goditje e rëndë për të djathtën ekstreme të organizuar. Me këtë ndalim, ne u japim fund aktiviteteve çnjerëzore të një shoqate neo-naziste që vepron ndërkombëtarisht në Gjermani. Duke bërë këtë, ne dërgojmë sinjal të qartë kundër racizmit dhe antisemitizmit".
Duke theksuar se e djathta ekstreme mbetet kërcënimi më i madh për demokracinë gjermane, Faeser tha: "Prandaj, ne vazhdojmë të veprojmë me gjithë vendosmërinë tonë për të shkatërruar strukturat e ekstremit të djathtë". Ajo theksoi se përgatitjet për ndalimin janë bërë prej një viti dhe shprehu mirënjohjen e tij për autoritetet amerikane për mbështetjen e tyre.
"Hammerskins Germany", e cila ka rreth 130 anëtarë në vend, është zgjerim i "Hammerskins Nation", i cili u themelua në SHBA në vitin 1988. Grupi propagandon të djathtën ekstreme duke organizuar ngjarje koncertesh në Gjermani.
Me pezullimin e aktiviteteve të "Hammerskins Germany", numri i organizatave raciste të ndaluara nga Ministria e Brendshme në vend u rrit në 20.