Ekip
07 shkurt 2018•Përditësim: 07 shkurt 2018
BERLIN (AA) – Blloku konservator i kancelares gjermane Angela Merkel dhe social-demokratët kanë arritur një marrëveshje për të formuar qeveri të “koalicionit të gjerë”, pas ngërçit 136 ditësh pas zgjedhjeve të 24 shtatorit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me krerët e partive, pas një maratone 24 orëshe të bisedimeve Merkel tha se ata kanë arritur të hapin rrugën për një qeveri koalicioni që do të adresonte nevojat reale dhe problemet e qytetarëve.
“Jam i bindur se kjo marrëveshje e koalicionit do të vendos bazat për një qeveri të mirë dhe të qëndrueshmë koalicioni që kërkon vendi ynë”, theksoi Merkel.
Unioni Kristian Demokratik (CDU) i kancelares Merkel duhej të hiqte dorë nga postet kryesore ministrore, si ministria e brendshme dhe ajo e financave, si pjesë e kompromisit.
Partia symotër e CDU-së, Unioni Kristial Social (CSU), siguroi katër ministri, duke përfshirë Ministrinë e Brendshme.
Partia Social Demokratike (SPD), e cila ka hezituar të hyjë në koalicion të ri me konservatorët, fitoi gjashtë vende ministrore, duke përfshirë atë të punëve të jashtme, të drejtësisë, të financave dhe atë të punës.
Mediat lokale njoftuan se udhëheqësi i SPD-së, Martin Schulz, ishte kandidati i mundshëm i partisë së tij për postin e Ministrisë së Jashtme.
Marrëveshja e koalicionit ende është subjekt për t’u miratuar nga rreth 460 anëtarë të SPD-së.
Organizata tradicionale e SPD-së dhe organizata rinore Jusos kanë kundërshtuar një qeveri koalicioni me demokratët e krishterë, duke bërë thirrje për një reformë brenda partisë.
Më 24 shtator, social demokratët pësuan rezultatin më të keq të zgjedhjeve në dekada, por mbetën partia e dytë më e madhe në parlament.
Shumë social-demokratë kanë fajësuar shfaqjen e tyre të dobët në anëtarësimin e partisë në “koalicionin e gjerë” të mëparshëm.