Mahmut Atanur
30 Tetor 2018•Përditësim: 30 Tetor 2018
XHAKARTË (AA) - Ekipet e shpëtimit kanë gjetur trupat e 24 të vdekurve në aksidentin e djeshëm ajror në Indonezi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kujtojmë se avioni komercial Lion Air me 189 udhëtarë dhe pjesëtarë të ekuipazhit, u rrëzua të hënën në det, afër ishullit Java, pak kohë pas ngritjes nga Xhakarta.
Ekipet e shpëtimit kanë gjetur dhe dërguar në Xhakartë, mbetjet e 24 viktimave të kësaj fatkeqësie.
Gazeta lokale Tempo, shkruan se familjet e viktimave të fluturimit fatal JT 610 janë thirrur të japin mostrat e ADN-së me të cilat do të identifikohen viktimat.
Në vendin e ngjarjes u gjetën edhe pak mbetje të avionit si dhe disa sende personale të udhëtarëve, ndërsa sot, në aksionin e kërkimit do të përfshihen edhe zhytës të cilët do të kërkojnë pjesët e mbetura të avionit.
Zyrtarët indonezianë thanë se nuk ka shenja për të mbijetuar në këtë aksident.
Kompania Lion Air tha se avioni Boeing 737 MAX 8 ka pasur probleme teknike gjatë fluturimit të fundit, por se i njëjti ishte servisuar.
Drejtori i kompanisë, Edward Sirait, tha se avioni është drejtuar nga piloti 31 vjeçar nga India, Bhavye Sunya, dhe shton se ka qenë një pilot i ri por me përvojë.