Gazetarja e kanalit televiziv Al-Jazeera, Shireen Abu Akleh, ka humbur jetën si pasojë e të shtënave të ushtarëve izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga ministria palestineze e Shëndetësisë, bëhet e ditur se gazetarja Shireen Abu Akleh ka humbur jetën pasi u plagos rëndë në kokë si pasojë e të shtënave me plumba të vërtetë nga ushtarët izraelitë.
Shireen Abu Akleh po ndiqte bastisjen e ushtrisë izraelite në kampin Jenin.
%2FMAYIS-2022_muhabiric.jpg)
- Izraeli propozon "hetim të përbashkët" lidhur me vrasjen e gazetares së Al-Jazeera-s
Ministria e Jashtme izraelite bëri një deklaratë me shkrim pas vrasjes së gazetares, ku bëhet e ditur se ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid ka theksuar se "palestinezëve u kanë propozuar një hetim mjekoligjor të përbashkët" lidhur me "vdekjen e trishtuar" të gazetares së Al-Jazeera-s, Shireen Abu Akleh.
"Gazetarët duhet të mbrohen në zonat e konfliktit dhe të gjithë janë përgjegjës për të mësuar të vërtetën", tha Lapid i cili shtoi se "Ushtria izraelite do të ndërmarrë operacione në çdo vend ku është e nevojshme për luftën kundër terrorizmit dhe për të penguar vrasjen e izraelitëve".
Në deklaratën e ministrit Lapid, nuk u përfshi ndonjë detaj se gazetarja Shireen Abu Akleh ka vdekur si pasojë e hapjes së zjarrit nga ushtria izraelite.
- Izraeli: Palestinezët kundërshtojnë hetimin e përbashkët për vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, tha se Autoriteti Palestinez po refuzon të kryejë një hetim të përbashkët për vdekjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh.
Bennett tha se palestinezët me siguri janë pas vrasjes së gazetares. "Sipas informacionit që kemi në duart tona tani, ka shumë shans që palestinezët e armatosur, duke qëlluar në mënyrë të egër, kanë sjellë vdekjen tragjike të gazetares", tha Bennett në një deklaratë.
Ai gjithashtu pohoi se ka video që tregonin palestinezë të armatosur duke hapur zjarr ndaj forcave izraelite.
- I dërguari i OKB-së dënon vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s në Bregun Perëndimor
I dërguari i posaçëm i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, dënoi vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s nga forcat e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Dënoj fuqishëm vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, e cila u qëllua me zjarr të vërtetë këtë mëngjes teksa mbulonte një operacion të forcave izraelite të sigurisë në Jenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar”, shkroi Wennesland në twitter.
I dërguari i OKB-së i shprehu ngushëllime familjes së gazetares dhe i uroi shërim të shpejtë kolegut të plagosur.
“Bëj thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të plotë dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi. Punonjësit e medias nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër”, shtoi Wennesland.
- Ambasadori amerikan në Izrael thirrje për hetim për vdekjen e gazetares së Al Jazeera-s
Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Tom Nides sot bëri thirrje për hetim mbi vdekjen e gazetares veterane të Al Jazeera-s në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Shumë i trishtuar kur mësova për vdekjen e gazetares amerikane dhe palestineze Shireen Abu Akleh nga Al Jazeera”, shkroi Nides në Twitter.
"Inkurajoj një hetim të plotë mbi rrethanat e vdekjes së saj dhe plagosjes së të paktën një gazetari tjetër sot në Jenin", shtoi ai.
- Unioni i Gazetarëve të Francës dënon vrasjen e gazetares së Al-Jazeera-s nga Izraeli
Në një njoftim nga llogaria në twitter e Unionit Kombëtar Francez të Gazetarëve-Konfederata e Përgjithshme e Punës (SNJ-CGT) thuhet se, "Me keqardhje dhe në mënyrë të ashpër dënojmë vrasjen nga ushtria izraelite të koleges tonë palestineze Shireen Abu Akleh. Ajo ndodhej në Jenin për të kryer punën e saj. Gazetarët nuk janë objektiv".
Në Francë ku vrasja e Akleh ndodhet në rendin e medias sociale, administrata e Parisit nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen.
Më herët të mërkurën, televizioni Al Jazeera akuzoi forcat izraelite për vrasjen e qëllimshme të gazetares të saj Abu Akleh.
"Ne zotohemi se do t'i ndjekim penalisht autorët, pavarësisht se sa shumë përpiqen të mbulojnë krimin e tyre dhe t'i nxjerrin ata para drejtësisë," u zotua kanali.
- Vrasja e gazetares së Al-Jazeera-s, Shireen Abu Akleh
Shireen Abu Akleh, gazetarja me përvojë në terren për kanalin Al-Jazeera me qendër në Katar, u vra nga zjarri i hapur i ushtarëve izraelitë në orët e para të këtij mëngjesi teksa po ndiqte bastisjen e ushtarëve izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin që ndodhet në Bregun Perëndimor nën pushtim.
Akleh humbi jetën pasi u plagos rëndë në kokë duke u goditur me plumb të vërtetë nga ushtarët izraelitë, ndërkohë që ajo po kryente detyrën e saj dhe teksa kishte të veshur edhe jelekun antiplumb me mbishkrimin "press".
Gazetarja 51-vjeçare, një prej gazetarëve në terren të gjeneratës së parë të Al-Jazeera-s, prej një kohe të gjatë kryente punime në rajon për të regjistruar sulmet e Izraelit ndaj popullit palestinez në territoret e pushtuara.
Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani.
Mes palestinezëve dhe forcave izraelite, të cilët këtë mëngjes bastisën kampin Jenin dhe rrethuan shtëpinë e një palestinezi për të arrestuar atë, u shënuan incidente.