Mehmet Yılmaz
29 janar 2021•Përditësim: 29 janar 2021
Agjencia e Kufirit dhe Rojes Bregdetare të Bashkimit Evropian (Frontex) njoftoi se ka pezulluar operacionet e saj në Hungari derisa vendi të zbatojë vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED), transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Frontex-it me qendër në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, Chris Borowski në një deklaratë për Agjencinë hungareze të lajmeve (MTI) konfirmoi se Frontex ka pezulluar aktivitetet e saj në Hungari.
Borowski tha se Frontex ka pezulluar aktivitetet e saj derisa Hungaria të zbatojë vendimin e dhënë në muajin dhjetor nga GJED e cila është gjykata më e lartë e BE-së.
Duke bërë të ditur se 20 personat që ndodhen në vend në kuadër të Frontex-it do të transferohen përkohësisht në vendet e tjera në rajon, Borowski vuri në dukje se shpreson që ata të kthehen sa më shpejt në detyrën e tyre në Hungari.
Hungaria me qëllim për të ndaluar refugjatët vendosi në kufirin e saj me Serbinë dhe Kroacinë tela me gjemba dhe rriti dënimet e zbatuara për kalimet e paligjshme. Vendi tha se e ka bërë të detyrueshme që përgjatë kohës së aplikimit për azil, refugjatët përfshirë edhe fëmijët të mbahen në kampet e vendosura në kufi ndërsa refugjatët e kapur në mbarë vendin do të nxirren jashtë Hungarisë nga kufijtë e rrethuara me tela me gjemba.
GJED e cila është gjykata më e lartë e BE-së vendosi se këto praktika të Hungarisë për rikthimin e refugjatëve të ardhur ilegalisht nga Serbia dhe sistemi i saj për azil shkelin ligjin e BE-së.